Shahini nis diversionet: Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim
Pasi nuk arriti në një gjuhë të përbashkët me pedagogët gjatë javës së kaluar, duke refuzuar me çdo mënyrë rregullimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, një kërkesë kjo që vjen jo vetëm nga studentët, por edhe nga pedagogët, ministrja Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Besa Shahini, ashtu si kryeministri Edi Rama e komenton protestën e studenteve dhe pedagogëve përmes rrjeteve sociale.
Besa Shahini shprehet se çdo ditë i shkruajnë studentë që duan të realizojë procesin mësimor, por sipas saj pengohen nga disa pedagogë partiakë të cilët kanë vendosur të bojkotojnë, duke krijuar përshtypjen e një diversioni nga ana e drejtueses së Ministrisë së Arsimit të protestuesve.
Statusi i plotë i Shahinit:
Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim tek fakultetet ku disa pedagogë kanë vendosur të mos mbajnë mësim. Më vjen keq që këta pedagogë, disa prej tyre haptazi partiakë, në vend që të shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar nga protesta e të marrin pjesë në proces tashmë të filluar të adresimit të çështjeve që kanë, vendosin të bëjnë bojkot kur ky mjet proteste nuk ka më kuptim.
Më vjen keq gjithashtu që udhëheqësit e Universitetit të Tiranës nuk merren me pjesën që u takon për të adresuar çështjet që kanë pedagogët dhe studentët.
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me studentë dhe pedagogë për #paktinpëruniversitetin duke përmbushur pjesën tonë të zotimit që morrëm në dhjetor. Nëse universitetet janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e studentëve, ne vëmë resurse në dispozicion dhe ua lëmë universiteteve të udhëheqin procesin.
E kemi thënë disa herë: asgjë nuk është e shkruar në gur. #paktipëruniversitetin është një pikënisje – mund ta pasurojmë dhe ndryshojmë siç duan aktorët e përfshrirë. Por kjo nuk ndodh me bojkot dhe ultimatum. Kjo ndodh me përfshirje dhe kontribut në procesin e pakthyeshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit te lartë dhe eksperiencës studentore në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

