Shahini shpreh ngushëllimet për vdekjen nga Covid-19 të mësuesit nga Rrësheni: Uroj shërim të shpejtë për arsimtarët e tjerë
Përmes një postimi në Facebook, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta e mësuesit nga Rrësheni për shkak të Covid-19.
Shahini shkruan se është e nevojshme që gjithsecili të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.
Shahini: Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19. Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite. Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij.
Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm. Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore. Uroj shërim të shpejtë edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus.