Shalsi ministër, deputeti i PD: Çfarë fshihet pas vendimit të Ramës
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, emërimi i Eduart Shalsit nga kryeministri Edi Rama në postin e ministrit të Mbrojtjes së Sipërmarrjeve ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve me Kinën.
Në një status në Facebook, Shehu shkruan se Rama po kërkon të zhvendos ekonominë e Shqipërisë drejt Lindjes.
“Pa dyshim ky është një sinjal tjetër i fortë politik në panik i Kryeministrit në braktisje,” shkruan Shehu.
Statusi i plotë
Emërimi i Shalsit në postin e Ministrit të Mbrojtjes së Sipërmarrjeve ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike e shkëmbimeve me Kinën, me qëllim një afrim edhe politik me këtë vend, për të “çarë bllokadën”, që Perëndimi po i bën këto vite qeverisjes së Rilindjes.
Shalsi prej kohësh njihet edhe prej partnerëve tanë si një “pilaster” i lidhjeve me Kinën, që po punon për të “zhvendosur” ekonominë e Shqipërisë drejt Lindjes.
Pa dyshim ky është një sinjal tjetër i fortë politik në panik i Kryeministrit në braktisje, si dikur Hoxha, por që bie qartësisht ndesh me politikat amerikane e europiane, me interesat jetike të vendit tonë.
Në qoftë se prej 5 vitesh nuk ka asnjë investim serioz Perëndimor në Shqipëri, shkaku janë politikat shkatërruese të kësaj Qeverie, vizioni i saj Lindor, elemente të cilat Kryeministri kërkon t’i thellojë nëpërmjet mesazherit të tij për deri në Kinën e largët.
KOHA JONË SONDAZH

