Shalsi optimist: Tryeza për reformën zgjedhore nuk ka dështuar

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi shpreson ende tek dialogu me  opozitën i nisur në tryezën për reformën zgjedhore, të thirrur nga OSBE.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora Shalsi tha se qeveria nuk mund të diktojë sjelljen e opozitës. Sipas Shalsit, vërejtjet e OSBE/ODIHR janë baza mbi të cilën duhet të përmirësohet reforma elektorale.

Eduard Shalsi: Nuk mund ta them dhe nuk mund ta themi me bindje një tryezë të dështuar, procesi vazhdon. Nga ne është shumë e qartë që vërejtjet e ODIHR dhe OSBE janë baza mbi të cilën ne do të donim të përmirësonim ligjin zgjedhor. Janë konstatime që i kemi konstatuar të drejta. Jemi të  vendosur ti bëjmë realitet, jemi me opozitën parlamentare, por nuk kemi përjashtuar opozitën jo parlamentare për të marrë pjesë. 

Ne do të donim që të kishte një pjesëmarrje sa më të gjerë na hartimin e ligjit elektoral dhe në përmirësimit e ligjit elektoral, por nga ana tjetër nuk mund të imponojmë me zor pjesëmarrjen e partive opozitare jashtë parlamentare. Ajo që vlen të theksohet është se konstatimet janë të drejta. Janë bërë nga institucione me reputacion në monitorimin e zgjedhjeve. Ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të bëjmë realitet ato vërejtje të drejta të pasqyruar në raportin e OSBE/ODIHR.

Sa i përket mundësisë së rikthimit të protestave të opozitës, Shalsi u shpreh se përsëritja e tyre nuk do të sjellë ndonjë gjë të re, përveçse impaktit negativ në ekonomi.

Eduard Shalsi: Unë dua të besoj që e provuan me protesta, e provuan me protesta e të mbështetura nga disa bashki të djathta. Nuk paragjykoj asnjë protestë, por në rastin konkret protestat ishin të stisura, nuk kishin mbështetje masive. Thirreshin nga krerët e opozitës të cilët më shumë sesa hallin e popullit opozitar kishin hallin e tyre. Ajo që dua të them është se i takon atyre të marrin vendimin, por nëse nuk kanë nxjerrë leksion nga gabimet fatale që bënë në 6-mujorin e parë nuk bëjnë gjë tjetër veçse vazhdojnë me dështimet. E gjithë ajo rrugë që ka ndjekur opozita gjatë këtyre muajve i çoi asgjëkund dhe nuk besoj se thirrja për protesta do të sjellë ndonjë gjë të re. 

SHKARKO APP