Shalsi: Për turizmin po punojmë për një paketë të veçantë të cilën po e studiojmë me kujdes
Në një lidhje me Skype në Ora News, ministri i Sipërmarrjes, Eduard Shalsi u shpreh se qeveria është duke punuar me një paketë të veçantë për turizmin.
Sipas tij, duhet ndjekur me shumë kujdes edhe vendet e tjera për të mos përsëritur gabimet e tyre.
Eduard Shalsi: Jemi duke punuar në disa skenarë. Po ndjekim me shumë kujdes se çfarë po bëjnë vende të ndryshme për të menaxhuar një situatë të tillë, pavarësisht se ekonomitë e vendeve janë të ndryshme. Për turizmin po punojmë për një paketë të veçantë të cilën po e studiojmë me kujdes. Eksperienca e vendeve të tjera po tregojnë se nuk duhet të hidhen hapa të nxituara.
Ndërhyrjet duhet të jenë të mirëstudiura, pasi Shqipëria nuk ka luksin për paketa të mëdha financiare si vendet e tjera. Jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur.
Jemi në kontakt të vazhdueshëm me bizneset duke shfrytëzuar teknologjinë. Bankat nuk po bëjnë zvarritje, por nga marrja e vendimit deri në zbardhje të tij duhet pak kohë.