Shano: Putin e ka në dorë tani Europën, Rusia një superfuqi energjetike
Si është Europa në këtë krizë mes Rusisë dhe Ukrainës? Për analistin Dritan Shano, Putin e ka në dorë Europën në situatën aktuale, duke qenë se jemi në krizë energjetike, ndërsa Rusia është një superfuqi energjetike.
“Lufta ka kohë që ka filluar dhe vazhdon, por është një luftë diplomatike për të pozicionuar edhe njëherë Rusinë atje ku ata mendojnë se duhet të jenë. Por pse tani? Tani, ai e ka në dorë Europën. Përjetuam rritje të gazit, pasi ai e mbylli rubinetin dhe shkaktoi një krizë në Europë.
Rusia është superfuqi energjetike dhe për Europën është shumë e rëndësishme. Ky është një moment kur të gjitha qeveritë e botës demokratike nuk shihen me sy të mirë nga qytetarët e tyre për shkak të një situate globale, pandemia e të tjera.
Unë mendoj se synimi i tij është të mbajë NATO-n larg. Këto janë ato momentet oportune të tij për të treguar muskulaturën e Rusisë. Megjithatë, unë mendoj se nuk ka për të pasur pushtim. Nuk e kam fjalën te kostot. Ai nuk ka nevojë të hyjë atje me trupa. Ai mund të krijojë situata të rënda në Ukrainë në çdo moment”, u shpreh Shano.