SHBA autorizon vaksinën Pfizer, FDA: Ja kur do të nisë vaksinimi në masë
Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) ka autorizuar vaksinën e kompanisë Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent, duke i hapur rrugën vaksinimit të miliona njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autorizimi i vaksinës shënon një pikë kthese në Shtetet e Bashkuara, ku pandemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 292 mijë njerëzve.
Mësohet se vaksinimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërkohë që presidenti Trump tha se vaksinimi i parë me Pfizer do të jepet në SHBA brenda më pak se 24 orëve. Siç është bërë tashmë e ditur, ata që do të vaksinohen të parët janë miliona punonjës të shëndetësisë, pasuar nga personeli dhe banorët e qendrave për të moshuarit, individët me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe amerikanët e moshuar. Ndërkohë që pjesa tjetër e popullatës do të duhet të presë deri në prill apo maj të vitit të ardhshëm.
Një ditë më parë, komisioni këshillimor i FDA e mbështeti autorizimin, pasi analizoi shqetësimet e ngritura rreth vaksinës. “Amerikanët kërkojnë dhe meritojnë një analizë rigoroze, të gjithanshme dhe të pavarur të të dhënave,” thotë Doran Fink, pjesë e komisionit këshillimor.
Ndërkohë, presidenti Trump e quajti vaksinën sukses të madh gjatë një takim të nivelit të lartë që organizoi në fillim të javës, ku nuk kishte ftuar anëtarë të ekipit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Kujtojmë se në fillim të kësaj jave, SHBA-të regjistruan numrin më të lartë të viktimave me mbi 3,100 të vdekur nga COVID-i brenda një dite. Mbi 192 mijë vetë kanë vdekur në SHBA dhe janë identifikuar mbi 15 milionë të infektuar.