SHBA-ja nis një anije me pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë

Një anije e ushtrisë amerikane që po bart pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë është nisur drejt enklavës palestineze, tri ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bëri publike planet për të rritur dërgesat e ndihmës përmes detit në Gazë, ku qindra mijëra palestinezë po përballen me uri.

Hapja e korridorit detar, së bashku me hedhjen e ndihmave nga ajri nga SHBA-ja, Jordania dhe të tjerët, tregojnë alarmin në rritje lidhur me krizën humanitare në Gazë dhe po ashtu paraqet një shmangie nga kontrollet tokësore që Izraeli u bën dërgesave të ndihmës.

Izraeli ka mirëpritur dërgesat detare dhe tha se do të inspektojë anijet me dërgesa të nisur drejt Gazës në një zonë afër Qipros. Numri i anijeve që hyjnë në Gazë brenda ditës ka qenë nën 500, sa hynin në enklavë para se të niste lufta në tetor, për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë.

Ndërkaq, Biden ka rritur kritikat ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Udhëheqësi amerikan tha se beson që Netanyahu “po e lëndon më shumë Izraelin sesa po e ndihmon Izraelin” në mënyrën se si ai po i qaset luftës kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që tashmë është në muajin e gjashtë.

Biden tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’iu kundërpërgjigjur Hamasit pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, por tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi jetës së të pafajshmëve që po humbet për shkak të veprimeve që po ndërmerren”.

Në kuadër të përpjekjeve për të rritur ndihmën humanitare dhe për të ndërtuar portin e përkohshëm, ushtria amerikane bëri të ditur se anija Gjeneral Frank S. Besson është larguar nga baza e Marinës në Virxhinia “më pak se 36 orë pasi presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë humanitare për Gazën përmes detit.

Anija mbështetëse logjistike “po bart pajisjet e para për krijimin e portit të përkohshëm për të dërguar furnizimet jetike humanitare”, u tha në njoftim.

Biden bëri njoftimin për portin e përkohshëm të enjten gjatë fjalimit drejtuar kombit. Njoftimi nga udhëheqësi amerikan erdhi pas paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara për përhapjen e urisë në mesin e 2.3 milionë palestinezëve në Gazë, pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Që nga sulmi fillestar i Hamasit në jug të Gazës në tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë, Izraeli ka kryer ofensivë tokësore dhe ajrore në enklavën e rrethuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga ofensiva janë vrarë mbi 30.000 persona, shumica gra dhe fëmijë.

Gaza nuk ka infrastrukturë të porteve. Fillimisht, SHBA-ja planifikon të përdorë Qipron, e cila po ofron një proces të kontrolleve të anijeve të mallrave, në të cilin proces do të përfshihen edhe zyrtarët izraelitë. Ky proces shmang kontrollet e sigurisë në Gazë.

Shumica e banorëve të Gazës tani janë persona të zhvendosur brenda vendit dhe enklava po përballet me pengesa në dërgesat e ndihmës humanitare në pikat e kontrolleve kufitare tokësore.

REL

SHKARKO APP