SHBA, nisin provat përfundimtare me vaksinën kundër Covid-19

Prova më e madhe klinike në botë me vaksinën kundër COVID-19 nisi të hënën me 27 korrik me vullnetaret e parë nga 30 mijë të planifikuar. Vaksina eksperimentale është prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania “Moderna Inc.”, dhe është një nga disa prej kandidateve të mundshme në garën botërore për prodhimin e një vaksine kundër virusit.

Nuk ka ende asnjë garanci se vaksina eksperimentale e zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe “Moderna Inc.”, do të garantojë mbrojtje nga COVID-19.

Vullnetarët nuk do ta dinë nëse po marrin injeksionin e vërtetë apo një imitim të vaksinës. Pas dy dozash shkencëtarët do të ndjekin nga afër se cili grup do të pësojë më shumë infeksione, ndërsa ato vazhdojnë me rutinën e tyre të përditshme, veçanërisht në ato zonat ku virusi po përhapet i pakontrolluar.

Kompania “Moderna” tha se vaksinimi nisi në Savanah të Xhorxhias mes më shumë se 12 vendeve të tjera ku po kryhen prova klinike në të gjithë vendin.

Në Binghamton të Nju Jorkut infermierja Melissa Harting tha se ajo ishte ofruar si vullnetare “për të bërë atë që i takon për të ndihmuar”. “Ndihem e ngazëllyer” tha zonja Harting përpara vaksinimit të hënën në mëngjes.

Disa vaksina të tjera eksperimentale të prodhuara nga Kina dhe nga universiteti i Oksfordit në Britani ndodhen në fazën përfundimtare të disa testime në shkallë të ulët që po kryen në Brazil dhe vende të tjera të goditura rëndë nga pandemia.

Por SHBA po kërkon të vendosë një standard të lartë për të gjitha testimet që do të kryejë për çdo vaksinë që mund të përdoret në vend. Çdo muaj, Rrjeti Parandalues i COVID-19, i financuar nga qeveria, do të kryeje një studim të ri të çdo vaksine që shihet si kandidate potenciale për përdorim masiv, secila me të 30 mijë vullnetarët e rekrutuar rishtazi. Studimet masive nuk janë thjesht për të provuar nëse të vaksinat funksionojnë, ato janë të nevojshme për të kontrolluar sigurinë e tyre. Ndjekja e rregullave të njëjta të studimit do t’u japë mundësinë shkencëtarëve të bëjnë krahasime mes të gjitha vaksinave.

Më pas në gusht, SHBA nis provën përfundimtare klinike me vaksinën e Oksfordit, që pritet të pasohet nga provat klinike të një vaksine të mundshme të prodhuar nga “Johnson & Johnson” në shtator dhe nga “Novavax” në Tetor, nëse gjithçka shkon sipas planeve.

Kompania “Pfizer Inc.” planifikon nisjen e studimit të saj me 30 mijë persona këtë verë. Ky konsiderohet një numër tejet i madh njerëzish të cilët do të përveshin mëngët në shërbim të shkencës. “Javët e fundit më shumë se 150 mijë amerikanë plotësuan një formular në internet ku shfaqnin interesin e tyre për të marrë pjesë në studim”, thotë doktor Larry Corey, virolog në Institutin e Kërkimeve për Kancerin “Fred Hutchinson” në Siatëll, i cili po ndihmon me mbikëqyrjen e vendeve ku po kryhen provat klinike.

Këto prova do të përfshijnë amerikanë të gjeneratave të ndryshme, ato do të jenë multietnike pasi duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e popullatës së Shteteve të Bashkuara“, tha zoti Corey gjatë një takimi mbi vaksinat javën e kaluar. Ai theksoi se është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet një numër i mjaftueshëm vullnetarësh që i përkasin komunitetit afrikano-amerikan dhe atyre me origjinë nga amerika latine pasi siç tha ai këto janë komunitetet më të goditura nga COVID-19 në SHBA.

Normalisht duhen vite për prodhimin e një vaksinë të re nga e para, por kësaj here shkencëtarët po vendosin rekorde shpejtësie, duke e parë vaksinën si shpresën më efikase kundër pandemisë.

Deri përpara fundit të muajit dhjetor koronavirusi nuk dihej që ekzistonte. Prodhuesit e vaksinave hynë në veprim më 10 janar, kur Kina shpërndau sekuencën gjenetike të virusit.

Vetëm 65 ditë më vonë në mars, vaksina e prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë u testua tek njerëzit. Vullnetari i parë inkurajoi të tjerë t’i bashkohen provave klinike.

Aktualisht të gjithë ndihemi shumë të pafuqishëm. Mund të bëjmë shumë pak për të luftuar këtë virus. Të jesh në gjendje të marrësh pjesë në këtë provë më ka mësuar se unë po bëj diçka“, thotë Jennifer Haller nga Siatëll për agjencinë “AP”. “Përgatituni për shumë pyetje nga miqtë e familjarët se si po shkon si dhe shumë falenderime“, thotë ajo.

Studimi në fazën e parë të tij ku morri pjesë edhe Jennifer Hallerin si dhe 44 vullnetarë të tjerë, tregoi se injeksionet stimuluan sistemit imunitar të vullnetarëve në atë mënyrë që sipas shkencëtarëve do të garantojë mbrojtje, me disa efekte anësore të vogla siç janë temperatura për një kohë të shkurtër, të dridhura e dhimbje të trupit. /VOA/

SHKARKO APP