SHBA: Përparim drejt heqjes së kufizimeve mbi patentat e vaksinave

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara mbi çështje të Tregtisë, Katherine Tai, tha të shtunën se Organizata Botërore të Tregtisë (OBT) ka shënuar përparim drejt një marrëveshjeje mbi heqjen dorë nga pronësia intelektuale mbi vaksinat kundër COVID-19-s.

Zonja Tai iu referua propozimit fillestar mbi këtë çështje, udhëhequr nga India dhe Afrika e Jugut, si dhe propozimeve që vijnë nga Bashkimi Evropian se do të donin anëtarët e bllokut që kjo çështje të negociohej.

Në muajin maj Shtetet e Bashkuara ndryshuan papritur qëndrim dhe ofruan mbështetje për heqjen e kufizimeve mbi patentat, duke u përballuar me presionin në rritje të kundërshtarëve si Bashkimi Evropian e Zvicra, ku ndodhen shumë prej kompanive prodhuese të ilaçeve.

“Jemi vërtet të inkurajuar të shohim më shumë anëtarë të OBT-së të dalin me propozime rreth asaj që ata mund të mbështesin në lidhje me pronësinë intelektuale dhe mënyrën se si ato mund të zbatohen në raport me vaksinat kundër COVID-it”, u tha zonja Tai gazetarëve përpara një takimi të ministrave të Tregtisë në forumin e Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit (APEC).

Mbështetësit e heqjes së patentës së vaksinave kundër COVID-it kërkojnë të rrisin prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfëra që po luftojnë me një rritje të infeksioneve me koronavirus si dhe po hasin vështirësi për të siguruar qasje tek vaksinat apo pajisjet mjekësore.

Mbështetësit e heqjes së kufizimeve propozojnë që kjo gjë të zgjasë për të paktën tre vjet dhe do të ishin 164 vendet anëtare të OBT-së që do të përcaktonin se kur do të përfundonte kjo periudhë./VOA/

SHKARKO APP