SHBA “ultimatum” BE-së për Integrimin e Ballkanit Perëndimor: Procesi të ecë përpara
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ishte pjesë e Forumit të Prespës, ku u takua me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski, me të cilin diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
”Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe Bashkimi Europian duhet të gjejë një mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimit europian. Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, u shpreh Pendarovski në këtë takim. Reeker përcolli bindjen se rruga e bisedimeve, do të hapet.
“Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë. Ne ia kemi bërë të qartë Qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara… Por, ne kemi besim se kjo do të ndodhë. Diplomacia mund të sjellë një ndryshim të madh, duke ndihmuar vendet të gjejnë mënyra për t’i zgjidhur problemet dhe për të bërë përparim”, citohet të ketë thënë zyrtari i lartë amerikan.
Në ditën e parë të forumit, zëvendës/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, shprehu keqardhje që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me BE-ne gjë që, sipas tij mund të rrisë skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Europës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.