SHÇBA pezullon nga detyra punonjësen e Policisë Kufitare në Kapshticë, regjistronte fiktivisht në TIMS
SHÇBA ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjëses së Policisë Kufitare Korçë, F.Z., me detyrë ndihmës kontrollore në PKK Kapshticë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Pezullimi nga detyra është kryer pas një hetimi disa mujor të kryer nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Gjatë hetimeve të zhvilluara u arrit të dokumentohet veprimtaria e paligjshme e kryer nga punonjësja, e cila në shpërdorim të funksionit që mbante si ndihmës kontrollore pranë PKK-së Kapshticë, ka kryer në vazhdimësi regjistrime fiktive në sistemin TIMS të personave të ndryshëm, për shmangien e tejkalimit të afateve të qëndrimit në zonën Shengen.
Hetimet vazhdojnë me qëllim verifikimin e punonjësve të tjerë, që dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.
SHÇBA fton e nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.