Shefi i shtabit të FA-ve kundërshtoi procedurën, si hyri në lojë Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani
Dalin detaje nga dosja hetimore e SPAK-ut në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në kryeqytet. Procedura e ndjekur për privatizimit të këtij kompleksi, dikur pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, ku flitet për rolin e Mediut, Genc Rulit, futjen në lojë të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, apo edhe kundërshtinë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura asokohe, Luan Hoxha.
Ky i fundit kundërshtoi heqjen e kompleksit nga lista e pronave në planin e Përhapjes dhe në Përdorim të Forcave të Armatosura. Në vitin 2005, Mediu në një shkresë shkruan se gjykohej e nevojshme që t’i hapej rrugë privatizimit, ndërsa në dosje sqarohet dhe momenti se kur hyn në ‘lojë’ Malltezi. Ky i fundit i bën një shkresë Mediut, ku sqaron se është përfaqësues i 5 familjeve, pranë të tokës dhe kërkon privatizimin e ish-kompleksit.
“Me shkresën nr. 48/1 prot date 16.01.2006 Ministria e Mbrojtjes (Kabineti), shkrese e nënshkruar nga Shefi i Kabinetit, Prof. Ass. Dr. Elmaz Leci, i eshte drejtuar bashkësisë “Kroi i Shëngjinit” ku në lidhje me problematikën që ata kanë parashtruar në shkresën e dates 06.01.2006, i sqaron se: Ministria e Mbrojtjes është organi që administron pronën e Klubit Sportiv Partizani, prandaj administrimi nuk lidhet me pronësinë. Klubi Sportiv Partizani nuk përfshihet në planin e përhapjes së FA dhe për ketë arsye Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar METE miratimin e privatizimit të objekteve të këtij klubi….”, thuhet në dosje.
SPAK sqaron mes të tjerash se; “Shkresa me nr. 48/1 prot date 16.01.2006 e Shefit të Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes vjen në kundërshtim me një shkresë tjetër e konkretisht atë me nr. 8138/1 prot date 05.10.2006 te Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, drejtori Maliq Xhebra, i cili i është drejtuar Komandës Mbështetëse Logjistike duke bërë me dije se me shkresën nr. 6932 date 09.08.2006, SHPFA ka dërguar të miratuara listat e pronave sipas destinacionit, ku në listën e pronave që përfshihen në planin e përhapjes është edhe prona me emërtimin Klubi i Futbollit Partizani, në përgjegjësi administrimi të KML-se. Sipas shkresës SHPFA lista është hartuar duke mbajtur parasysh Planin e Përhapjes së miratuar me shkresën nr. 231/3 datë 29.03.2006 si dhe nevojat e FA. Para miratimit te listave nga SHPFA lista e pronave të KML është miratuar paraprakisht edhe nga ana e Komandës Mbështetëse. Gjithashtu, kjo shkresë bie në kundërshtim edhe me Listën e Pronave sipas Planit 18 Përhapjes dhe në Përdorim të Forcave të Armatosura, nr. 6932/3 prot date 09.08.2006, te miratuar nga zv. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Luan Hoxha”. Po ashtu, SPAK sqaron dhe momentin kur Malltezi merr tagrin e përfaqësimit të familjeve pronare të ish-kompleksit.
“Pas konfirmimit të mësipërm të Ministrisë së Mbrojtjes, me shkresën nr. 48/1 prot date 16.01.2006, rezulton se shtetasi Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i shtetases Argita Malltezi (vajza e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në ketë kohë, shtetasit Sali Berisha), merr përsipër tagrin e përfaqësimit, për t’u lidhur me firma ndërtuese apo përfaqësim në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Te përfaqësuarit i kanë dhënë tagra të ndryshme shtetasit Jamarbër Malltezi, ku ndër të tjera vënë në dispozicion të këtij të fundit, 3-5% të pasurisë së tyre të paluajtshme, për krijimin e një fondi rezervë për përballimin e shpenzimeve emergjente dhe të paparashikuara. Megjithatë, nisur nga tagrat e dhëna, që është lidhja me firma ndërtuese apo nënshkrimi i kontratës së parë që vë në dispozicion firma ndërtuese për truallin e tyre, nuk rezulton e qartë se cilat do te ishin shpenzimet emergjente dhe të paparashikuara, në kuadër të të cilave do të jepeshin shtetasit Jamarbër Malltezi këto pjesë të pasurive së paluajtshme.
Për më tepër, siç rezulton nga parashtrimi në vijim, firma ndërtuese i përket pikërisht një trashëgimtari tjetër të këtyre familjeve, që është shtetasi Fatmir Bektashi, i cili edhe ai si vetë të përfaqësuarit me sipër, ka interes në ndërtime të mundshëm në këto territore.”, sqarohet në dosje.