Shefqet Ndroqi një vend krimi, 3 vetëvrasje. A duhet të mbyllet spitali Covid 2?
Një tjetër pacient i prekur nga Covid-19 është vetëhedhur nga kati i katërt i spitalit Covid 2 (Shefqet Ndroqi), aty ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Preng Gjonaj u hodh në orën 03:10 të mëngjesit. Me origjinë nga Tropoja, mësohet se i ndjeri ishte shtruar në spital prej kohësh. Ai qëndronte i vetëm në dhomën e tij, e cila ishte në katin e katërt, kat ky për të gjithë pacientët që janë në gjendje të rënduar shëndetësore nga Covid-19.
Sipas mjekëve, burri nuk kishte shfaqur probleme mendore, mirëpo duket se ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Policia është lajmëruar nga stafi i spitalit, të cilët vunë re se pacienti i tyre nuk ishte i shtruar, por ishte hedhur nga dritarja.
Më 13 gusht nga kati i katërt i këtij spitali u hodh Xhino Koça, 29-vjeçari nga Durrësi nga një familje e njohur në këtë qytet, i cili për pak ditë do të kthehej në shtëpi për shkak se gjendja e tij po stabilizohej. Hasan Mira, 65-vjeç, u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi më 2 shtator. Ai ishte shtruar në muajin gusht dhe ende nuk dihen arsyet se përse ndërmori aktin e rëndë.
Edhe sa pacientë do të vetëvriten? A ka marrë masa spitali Covid 2 që të parandojë të tilla ngjarje të rënda? Sa siguri ka në atë spital? Janë disa nga pyetjet pa përgjigje, ose përgjigjen e kanë tek tre vetërasjet, pra siguria është zero. Ajo që është përfolur vazhdimisht në media që prej fillimit të pandemisë është shkëputja e kontakteve me të afërmit të pacientëve në momentin që shtrohen në një spital Covid. Kjo për faktin se pacientëve nuk u lejohet asnjë lloj komunikimi me telefon dhe gjendja e tyre psikologjike nis të rëndohet.