Shehaj: Basha më ka zhgënjyer, liderët duhet të vijnë dhe të ikin sapo dështojnë

Kandidati për kryetar të PD, Agron Shehaj deklaroi se ka ardhur koha që më 13 qershor demokratët të vendosin ndryshimin me votë.

Ndërsa shprehet i zhgënjyer nga kreu i PD Lulzim Basha, ai thekson se tashmë ky i fundit pas kaq shumë dështimesh duhet të ishte larguar, por duket se ka qëllim të ruajë karrigen përjetësisht.

“Liderët duhet të vijnë e të ikin sapo dështojnë”, shkruan Shehaj, ndërsa shton se partia është e demokratëve dhe se nuk mundet që sakrifica e tyre të çohet dëm.

Reagimi i plotë:

“Me Bashën jam shumë i zhgënjyer. Unë kam qenë në çdo protestë në Tiranë, në çadër dhe kudo. Nuk kam përfituar asnjëherë punë nga PD, e dinë të gjithë. Unë mendoj se ka ardhur koha që lideri të ndryshojë.” Demokratët e thjeshtë do bëjnë bilancin e energjive dhe sakrificave të çuara dëm nga vendimet e gabuara dhe kauzat e lëna përgjysmë nga lidershipi aktual i PD-së.

Çdo lider që ka prioritet Partinë Demokratike dhe demokratët do të largohej pas kaq dështimesh. Por lideri i tanishëm do që ta ruajë karrigen përjetësisht dhe nuk do që të ndryshohet asgjë. Është koha që ndryshimin të vendosin demokratët e thjeshtë me votën e tyre më 13 qershor. Partia është e tyre, liderat duhet të vinë dhe të ikin sapo dështojnë.

SHKARKO APP