Shehaj: Paratë e pista forcuan lekun, po shkatërrohet ekonomia

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj thotë se paratë e pista të injektuara në vend kanë fuqizuar monedhën vendase, ndërsa kjo formë shton ai, po shkatërron ekonominë shqiptare.

Ai shprehet se rritja e trafikut të drogës është shoqëruar me një rënie besnike të monedhës europiane duke arritur kështu nivelet më të ulëta të saj në dy dekadat e fundit. Sipas Shehajt, ky zhvlerësim i skajshëm i euros po shkatërron investimet e huaja, bizneset eksportuese dhe turizmin.

Postimi i Shehajt:
Forcimi i Lekut në lidhje me Euron ka filluar që në gjysmën e dytë të vitit 2016 dhe ka vazhduar pa ndërprerje. Fillimi i rënies së pakthyeshme të lekut përkoi me kohën e vjeljes së kanabisit të kultivuar masivisht. Nga atëhere, rritja e trafikut të drogës është shoqëruar në mënyrë besnike nga rënia e Euros, duke arritur sot shumë afër nivelit më të ulët të dy dekadave të fundit.

Pastrimi masiv i parasë së krijuar nga krimi (droga, trafiqet, evazioni, korrupsioni, etj) përmes industrisë së ndërtimit, e cila po lulëzon me nxitjen direkte të qeverisë Rama, do ta fundosë edhe më shumë Euron.

Kjo rënie drastike po shkatërron investimet e huaja, bizneset eksportuese, turizmin e të huajve. Praktikisht, po shkatërron sektorët dhe aktivitete ekonomike më jetike për zhvillimin ekonomik të vendit. Pa llogaritur dëmin e jashtëzakonshëm që sjell futja e parasë së pisët në ekonomi e cila përzë paranë e pastër, veçanërisht bizneset prodhuese dhe novatore.

Krimi po e shkatërron ekonominë e dobët shqiptare. Nëse nuk ndalet menjëherë kapja e ekonomsië nga interesat kriminale dhe pastrimi i parave të pista në ekonomi, pasojat për Shqipërinë do të jenë të rënda dhe afatgjata.

SHKARKO APP