Shehi për rritjen e pensioneve: Kemi blerë 3 kile patate për 1 pjatë supë
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi flet për një shportë prej 300 milionë eurosh për rritjen e pensioneve në Shqipëri. Komentet i bëri në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend gjatë ditës së sotme, ku më tej tregoi edhe strategjinë se ku do të gjenden këto para. Shehi tha se propozimi i tij është e vetmja mënyrë për nxjerrjen e pensionistëve nga varfëria me të cilën po përballen në ditët e sotme.
Pjesë nga fjala e kreut të LZHK, deputetit Dashamir Shehi te Komisioni i Ekonomisë:
Pse ka dalë jashtë funksionit skema e pensioneve? Sepse ka ecur më shpejtë inflacioni në krahasim me rritjen e pensionit. 200 mijë lekë para 2010 quhej një pension i pranueshëm, sot nuk quhet më, jemi në nivel mizerje. Edhe unë prandaj them hajde krijojmë një buxhet më vete. Puna është sa pare do fusim, se kjo nuk bëhet me çikërrima. Unë kam thënë 300 milionë euro.
Thonë ka luajt mendsh. S’kam luajt fare mendsh, edhe ta them unë ku do i marrim. Se edhe kur kam thënë për rritjen e rrogave, thane ka luajt mendsh ky, sepse do rritet inflacioni. Nuk u rrit fare inflacioni. 300 milionë, do i marrim investimeve 160 milionë. Te buxheti faktik i 2023 mungonin 160 milionë euro. Pra po heq një gjë që nuk përdoret. Sepse kemi blerë 3 kile patate për një kile supë. 55 milionë i ka llogaritur qeveria vetë. 85 milionë do i marrim në treg të brendshëm.
Ja ku u bë. 0.4 % do rritet borxhi, po le të rritet, pse çfarë do bëjmë ne garë te FMN? Vendet perendimore kanë borxhin deri në 89 %. Shqipëria e vogël do ta ulë. Po përse do ta ulë? Do marrë ndonjë medalje kryeministri nga FMN? Ne kemi marrë para borxh për investime që nuk dihet se ku janë, pse ky borxhi 100 milionë euro do na rëndojë ne. Kjo është zgjidhje politike, ka dëshirë kjo qeveri, që këta mbi 200 mijë vetë të marrin të paktën 250 mijë lekë të vjetra në muaj.