Shehi: Sistemi zgjedhor e ndan Shqipërinë sikur është Kina. Opozita e ka thuajse të pamundur
Partitë e vogla në vend, kanë nisur një fushatë për të ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri përmes mbajtjes së një referendumi. Në fokus të propozimeve është aplikimi i një Sistemi Zgjedhor Proporcional me katër ose më pak zona zgjedhore. Dashamir Shehi, Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, u shpreh se sistemi aktual nuk i lë asnjë hapësirë opozitës, e aq më tepër partive të vogla për ndryshim.
“Ne kemi kërkuar prej vitesh të ndryshojë sistemi zgjedhor. Ky ligj ka 15 vjet dhe jo vetëm opozita e ka thuajse të pamundur me këtë ligj, por e kanë forcat e reja, ndryshimi që kemi pritur. Qytetarit shqiptar i janë mohuar shumë të drejta me këtë ligj, pasi nuk janë të barabarta zonat. Ne kemi 12 zona. Tirana 35 deputetë, Kukësi 3, Gjirokastra 4. Ka mungesë përfaqësimi.
Është e pamundur të futesh në zonat e vogla elektorale për forca që mendojnë ndryshe politikisht. I mungojnë një sërë elementësh këtij ligji, që unë prej vitesh e kam cilësuar si një ligj reaksionar që e ndan Shqipërinë sikur jemi Kina, në 12 zona. Ka ardhur dita ta korrigjojmë këtë gabim që është bërë në vitin 2008. Partitë e mëdha, se këto kanë bërë dhe marrëveshje, nëse nuk iu pëlqen, ne do t’iu drejtohemi qytetarëve”, tha Shehi për ”A2cnn”.