Shehu i kthehet Ramës: Janari po mbaron, ku i ke vaksinat që the se do vinin në javën e tretë të muajit?
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka reaguar lidhur me çështjen mungesës së vaksinave anti-covid dhe situatën e pandemisë që ka përfshirë vendin.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu kërkon shpjegime nga kryeministri Edi Rama se pse ende nuk ka asnjë informacion se ku do të mbërrijnë vaksinat në Shqipëri, në një kohë që vetë Rama premtoi se ato do të vinin në javën e tretë të janarit.
“Janari po mbaron! Ku janë vaksinat Covid që na kishte thënë Rama se do të vinin javën e dyte ose të tretë?! Ashtu siç u trumbetuan “premtimet”, apo ardhja e aty 480 vaksinave “kontrabandë”, ashtu dhe tashti duhet transparencë, përse nuk po arrin edhe kjo sasi minimale, që na ishte konfirmuar nga Rama për muajin janar! Ky është një rregull absolut në të gjithë Botën e civilizuar e demokratike. Çështja është mos përgatitja nga ne a diçka tjetër? Që, sidoqoftë, duhet thënë. Publiku ka nevojë të informohet, jo vetëm errësirë! Publikut duhet t’i bëhet i ditur i gjithë kalendari i vaksinimit, minimalisht deri në fund të vitit 2021. Ai që është aktualisht, ashtu si është deri tashti. Së bashku me një “Program Vaksinimi” të plotë, sipas një strategjie, qoftë dhe akoma të pa mbështetur plotësisht. Këtë kërkon dhe BE, këtë kërkoi dhe ambasadori Soreca, që akuzoi Qeverinë tonë për mos përgatitjen e atij programi, gjë që bllokon BE-në tashti, por dhe COVAX-in më vonë, të zhvillojë një mbështetje konkrete për ne. Dhe në vazhdim të kësaj, po ato 15 mijë dozat e destinuara për Shqipërinë nga BE-ja nëpërmjet Italisë, e të ruajtura në Institutin “Spallanzani”, pse nuk po arrijnë? Lidhet kjo me këtë paaftësi e dështim të Qeverisë, pa dyshim e shoqëruar edhe me mos ndërtimin e infrastrukturës përkatëse të vaksinimit, pa të cilat askush nuk të ndihmon dot? Vetëm “Kontrabandistët” mund të sjellin diçka pa këto elemente, duke shkelur rregullat e “sigurisë medikamentoze” e “vigjilencës farmakologjike”, gjë që të dëmton më shumë në të gjitha planet”, shprehet ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.