Shehu: Integrimi në BE është një ndihmë reale në përpjekjet për të shpëtuar vendin nga ky regjim

Për ish-ministrin e Jashtëm, Tritan Shehu, deklarata e Departamentit të Shtetit për hapjen e Negociatave të BE-së me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut duhet përshëndetur fuqishëm.

Kjo, thotë ai, për shumë arsye, por më kryesorja është se sipas tij, integrimi i Shqipërisë  në BE është një ndihmë reale në përpjekjet për të shpëtuar vendin nga ky regjim autokatrik që po instalon Edi Rama.

Në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, Shehu deklaron Rama e di që autokratët, kleptokracitë, nuk kanë vend në BE, për rrjedhojë edhe jeta e tij politike shkurtohet në hapësirën Perëndimore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Prandaj, thotë Shehu, Rama ka devijuar lidhjet kryesore të qeverisë së tij drejt Lindjes.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Duhet përshëndetur fuqishëm deklarata e Departamentit të Shtetit për hapjen e Negociatave të BE-së me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut!

Pavarësisht deformimeve të thella të demokracisë në Shqipëri, korrupsionit, institucioneve tona tashmë të kapura nga krimi, etj., hapja e negociatave të anëtarësimit në BE është një domosdoshmëri për vendin tonë, shqiptarët dhe Rajonin. Është një ndihmë reale në përpjekjet për të shpëtuar vendin nga ky regjim.

Pa dyshim, mbështetja e proceseve tona të integrimit nga ShBA është shumë e rëndësishme për realizimin e kësaj aspirate jetike të popullit tonë.

Fatkeqësisht, prej vitit 2014 proceset integruese të Shqipërisë jo vetëm janë bllokuar, por kanë bërë edhe hapa mbrapa, duke u shtuar kushtet për t’u plotësuar nga vendi ynë.

Kjo vjen se vizioni, orientimi, vullneti politik i Ramës nuk është Perëndimi dhe integrimi europian. Ai e di që autokratët, kleptokracitë, nuk kanë vend në BE, jeta e tij politike shkurtohet në hapësirën Perëndimore.

Prandaj ai ka devijuar lidhjet kryesore të qeverisë së tij drejt Lindjes; prandaj ai për çdo gjë drejtohet aty dhe jo tek partnerët tanë Perëndimorë; prandaj ai po kërkon të krijojë çdo ditë veçse instrumente e “mekanizma”, që nuk i shërbejnë integrimit tonë, por degdisjes lindore; prandaj ai u bë “tellall” edhe i projekteve vuçiçiane të destabilizimit të Rajonit. Lindja e sistemet autokratike janë “streha” e tij.

Çdo mbështetje, nxitje, zhvillim, që na afron me Europën, ShBA-në e Perëndimin, është një mundësi më shumë, një “armë” e një shpresë për të shpëtuar nga ky regjim antidemokratik, alergjik ndaj familjes sonë natyrale”, deklaroi në reagimin e tij deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu.

DEKLARATA E DASH-it

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?