Shehu “jep recetën” për përballimin e shtimit të të infektuarve: Shtoni e forconi Reanimacionet, ndryshe…
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu vijon reagimet e tij i shqetësuar lidhur me situatën e pandemisë së koronavirusit në vendin tonjë, dhe keqmenaxhimin e saj nga ana e qeverisë “Rama”.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu apelon që të shtohen dhe forcohen sallat e reanimacioneve në vend.
“Shtoni e forconi Reanimacionet, ndryshe…!!
Këto po jua përsëris jo vetëm si “mjek i politikës”, gjë që e quaj përgjegjësi, por dhe si reanimator me eksperiencë, që për mua është nder!
Kur nuk liberalizoni testimet e dështoni në kërkimin epidemiologjik, kur shëndeti parësor lihet si i “njerkës”, kur spitalet e rretheve janë ashtu si janë, i gjithë presioni po përplaset në repartin infektiv, në “Shefqet Ndroqi”, e më tej aty ku ndahet “Jeta nga Vdekja”, në shërbimet e Reanimacionit.
Janë këto të fundit ku ne kemi humbje të konsiderueshme për arsye të problemeve të sistemit, apo prej strukturave të tyre larg standardeve europiane.
Shërbimet e reanimacioneve, veçanërisht për të përballuar komplikacionet e rënda të Covid kërkojnë parametra speciale që nga ajrimi, monitorimi i plotë hemodinamik, ventilimi, monitorimi qendror, etj etj, deri te ECMO.
Dëgjova dikë që justifikohej me mungesën e kapaciteteve njerëzore.
Së pari, kjo nuk e shfajëson atë, përkundrazi.
Së dyti, ne kemi një grup të shkëlqyer reanimatorësh e personeli, që mund të mobilizohen duke i krijuar kushtet, midis tyre dhe monitorimin qendror.
Së treti, kemi specialistë të trajnuar edhe për ECMO në Monza të Italisë, por nuk kemi ECMO.
Së katërti, duhen vënë në shërbim të këtyre pacientëve ambientet më të mira ekzistuese të reanimacionit në QSUT, duke instaluar aty teknologji suplementare, monitorim qendror, etj.
Së pesti, po ju kujtoj se Italia shtoi 5000 vende moderne reanimacioni, Gjermania 8000 në 3-4 javë, Franca, Spanja, etj., po kështu, ndërsa ne prej shkurtit…,kur së paku duhen dhe 100 poste të reja të tilla.
Ajo çfarë po modifikohet tek Kirurgjia e Vjetër është larg standardeve të terapisë intensive.
Në këto kushte tejet të vështira duhen veprime energjike, financime, së bashku me prezencë ndërkombëtare në nivelin epidemiologjik, mjekues e reanimator, për të cilin Italia, tashmë me eksperiencë, infrastrukturë, e “çliruar”, duhet të ftohet nga Qeveria”, theksoi Tritan Shehu.