Shehu: Komiteti nuk tha asgjë, pozitiviteti i testimeve ka kapur qiejt, gjendja jashtë çdo kontrolli
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu thotë se gjendja e COVID-19 në vend është jashtë çdo kontrolli. Në një reagim pas mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve, Shehu shkruan se Shqipëria ka numrin më të lartë në Europë për 1 milion banorë të rasteve të reja të infeksionit në ditë dhe tejet të larta janë dhe humbjet e jetëve në ditë.
Sipas Shehut, vetëm demagogji, mungesë profesionalizmi e pa përgjegjshmëri ka.
POSTIMI I PLOTË
E mblodhi Rama sot Komitetin në kushtet e një situate tragjike epidemiologjike e shëndetësore, por nuk u tha asgjë….
Shqipëria ka numrin më të lartë në Europë për 1 milion banorë të rasteve të reja të infeksionit në dite, me këto pak testime pa metodikë që realizohen.
Pozitiviteti i testimeve ka kapur “qiejt”!
Po kështu tejet të larta ka dhe humbjet e jetëve në ditë.
Për “vdekjet shtese” jemi në treshen më të zezë botërore.
Ndërsa sot Komiteti i Qeverisë deklaron që gjendja është nën kontroll, kur realisht është tërësisht jashtë çdo kontrolli, në rënie të lirë.
Dikush parashikon që “marsi do jetë më i mirë”!!!
Si mund të jetë i tillë kur nuk po merret asnjë masë efikase, inteligjente, profesionale!
Vetëm demagogji, mungesë profesionalizmi e pa përgjegjshmëri ka:
1. Asnjë rritje të ndjeshme të testimeve PCR (molekulare), kur duhej të kishin kaluar 10 mijë në ditë si metodikë.
2. Vazhdon të mos lejohet liberalizimi i testeve të shpejta, absurde kjo.
3. Vazhdon amullia e spitaleve periferike ku pacientët shtrohen vetëm ilegalisht.
4. Ndërsa spitalet Covid në Tirane janë të mbi ngarkuara si “magazina patatesh”.
5. E njëjta dukuri është edhe për vendet e reanimacionit, për të cilat edhe numrat e deklaruara janë shumë më tepër se kapacitetet reale të atyre.
6. Mjeku i familjes është akoma i pa mbrojtur e pacientët janë në rrëmujë në shtëpitë e tyre spital edhe pa rimbursim të shpenzimeve.
7. Ndërsa për vaksinimin vazhdojmë me “pikatore” e me “14 muajt” pa datë fillimi, në bisht të Europës; kështu për të shkuar të 5,5 milionë dozat e nevojshme për 2,4 milionë banorë duhet një dekadë.
Megjithëse 25 prilli po afron, përsëri kjo gjendje tejet e rëndë e me perspektivë të zymtë kërkon masa e veprime adekuate të urgjencës ekstreme.