Shehu: Mekanizmi “Vuçiç-Rama” po vazhdon të lëvizë në drejtim të kundërt me interesat e shqiptarëve

Mos përfaqësimi i Kosovës në takimet ku diskutohet lidhur me projektin Rama-Vuçiç-Zaev për “Shengenin Ballkanik”, shihet me shqetësim nga ish-kreu i diplomacisë shqiptare Tritan Shehu.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, lidhur me takimin e sotëm online, deputeti i zgjedhur i PD-së shprehet se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vë në rrezik shumë gjëra, ku sipas tij Kosova dhe e ardhmja e Rajonit vihen në pikëpyetje serioze.

Shehu thekson se mekanizmi Vuçiç – Rama po vazhdon të lëvizë në drejtim të kundërt me interesat e Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve e Rajonit, dhe me aspiratën e madhe europiane.

“Rama po vë në rrezik shumë: Sipas këtij “Minishengeni” të Vuçiç me tellall Ramën, Kosova dhe e ardhmja e Rajonit vihen në pikëpyetje serioze!

Fatkeqësisht sot është përsëritur shfaqja e pështirë e Novi Sadit, anashkalimi i Kosovës, pavarësisë e ekzistencës së saj me atë “takim” ogurzi, Vuçiç – Rama – Zaev!

Por jo vetëm kaq, kështu është bërë edhe një hap tjetër në kundërshtim me interesat e bashkëpunimit të vërtetë të Rajonit, i bazuar ky mbi përmbushjen e standardeve europiane për të përshpejtuar integrimin tonë në BE.

Siç duket mekanizmi Vuçiç – Rama po vazhdon të lëvizë në drejtim të kundërt me interesat e Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve e Rajonit, me aspiratën tonë të madhe europiane.

Ky mekanizëm i quajtur Mini Shengeni Ballkanik vetëm midis tre shteteve, po bëhet çdo ditë edhe më i rrëzikshëm, i bazuar mbi interesat e atyre, që duan ta mbajnë Rajonin tonë larg BE-së, Kosovën të mjegulluar në rolin e pavarësinë e saj.

Mos të harrojmë se motori kryesor i këtij mekanizmi është Serbia, e cila tashmë ka firmosur Traktatin Euro Azian me Rusinë, duke dhënë kështu një sinjal të qartë për objektivat e saj.

Fatkeqësisht Kryeministri i Shqipërisë është kthyer në një tellall të kësaj iniciative që bie ndesh me interesat tona kombëtare, interesat e Rajonit, të BE-së dhe Perëndimit, që të kujton ëndrrat e dikurshme të Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Re, degdisjen e Rajonit drejt Lindjes, duke lënë në harresë projektet realisht të dobishme dhe frutdhënëse si CEFTA, apo Procesi i Berlinit.

Ky duhet ndalur në këtë revansh të rrezikshëm, ndryshe dëmet do të vijnë duke u zgjeruar e konsoliduar”, deklaron deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP