Shehu: Pas deklaratës terrorizuese të ministres, Rama të publikojë “protokollet e vdekjes”!

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu deklaron se kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës terrorizuese në Kuvend të Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se “…do të zgjedhim kush do të trajtohet…”, i duhet të publikojë “protokollet e vdekjes”!

“Ramës mbas deklaratës terrorizuese ministeriale se “…do të zgjedhim kush do të trajtohet…”, i duhet të publikojë “protokollet e vdekjes”!

Një deklaratë kjo ogurzezë e kërcënuese në kuadrin e epidemisë Covid, që i trajton qytetarët si të burgosurit e ish-kampeve naziste, ku ai “kapoja” vendoste çdo mëngjes për “punë, apo për dhomat e gazit”, gjë që më sjell disa pyetje:

– Pse po shkojmë në këtë gjendje, ku duhet vendosur kush do të marrë trajtim mjekësor, e kush jo, kur Shqipëria ka mbi 55% të shtretërve bosh?

– Pse kujtohemi tani për spitalet Rajonale, kur janë humbur muaj që mund t’i vinim ato në eficiencë për këtë përballje? Po për ambientet e reanimacionit Covid, vendi ku ndahet jeta nga vdekja, që vazhdojnë të jenë krejtësisht të pa mjaftueshme, larg standardeve e me humbje të larta njerëzore, në një kohë që shumica e tyre në vend qëndrojnë të pa shfrytëzuara e të tjerë mund të silleshin?!

– Po kujdesi parësor pse vazhdon i pa mbrojtur, i pa pajisur, pra i paralizuar, me mjekime e dignostikime të pa rimbursuara, duke përkeqësuar pacientët, e shtuar “presionin” mbi spitalet?!

– Pse nuk gjenden forma për të bërë pjesë të përballjes edhe sektorin privat, si kudo?

– Pse jemi në nivele afrikane me numrin e testimeve PCR, dhe këto të vonuara, me ato imunologjiket të harruara, ndërsa duhej të ishim në fazën e atyre PCR të shpejta?

Dhe në fund dua t’ju pyes:

1- Kush do të bëjë rolin e “kapos” që do të vendosë se cili pacient do të trajtohet e cili jo, pra për jetë a vdekje?!

2- Mbi ç’baza do të bëhet ky seleksionim: ideologjike, mbështetje ndaj Rilindjes, simpative personale, PPP, pagesave…?!Së paku, për këtë duhet të përgatisni “protokollin e vdekjes”, se atë të mjekimit nuk e keni realizuar akoma?

Por Jeta as blihet, as shitet, e askush nuk ka të drejtë ta marrë atë, ajo jepet nga Zoti e vetëm Ai mund të vendosë; detyra a shtetit është ta mbrojë me fanatizëm atë.

Çdo gjë tjetër, edhe ky seleksionimi juaj që kërcënoni është vetëm një vepër kriminale!”, shprehet ish-ministri dhe ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

SHKARKO APP