Shehu: Presidenti të thotë fjalën për emërimet politike të ambasadorëve
Deputeti i Partisë Demokratike, nënkryetar i Komisionit të Jashtëm, i bën thirrje Presidentit Ilir Meta që të bëhet pengesë për emërimet e ambasadorëve të rinj mbi baza politike.
Nga katër kandidatë për ambasadorë që dolën para komisionit të Jashtëm, sipas Shehut, dy prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me sistemin diplomatik.
“Kështu veçse shkatërrohet Trupa Diplomatike shqiptare. Sot nga katër ambasadorë, që u diskutuan në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, dy prej tyre nuk i lidhte asgjë me Sistemin tonë Diplomatik. Pa dyshim diçka e tillë është e pa justifikuar në vitin 2018, kur diplomacia jonë është rritur, profesionalizuar e ka në përbërje shumë diplomatë të niveleve të ndryshme me përvojë e aftësi. Një politikë e tillë klienteliste jo vetëm që dëmton rëndë cilësinë e Shërbimit tonë Diplomatik nga vendosja e të tilla emërimeve larg profesionalizmit, por dhe duke demoralizuar e demotivuar diplomatët tanë, që kanë vite që kontribuojnë me aftësi e pasion në këtë sektor tejet të rëndësishëm, duke pritur të shpërblehen me karrierë. I bëj thirrje Presidentit Meta, që duhet të thotë fjalën edhe për këto raste të fundit, të tregohet një barrierë e pa kalueshme ndaj përzgjedhjeve të tilla, mbi baza politike, partiake apo subjektivizmi personal këto”– u shpreh deputeti demokrat Tritan Shehu.
KOHA JONË SONDAZH

