Shehu: “Vaksinat dorazi”, Shqipëria një vend pa siguri medikamentoze. Prokuroria të nisë hetimet
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu denoncon situatën e rëndë shëndetësore që ekziston në vendin tonë teksa thotë se Shqipëria është një vend pa siguri medikamentoze
“Shqipëria një vend pa Siguri Medikamentoze; Agjensia Kombëtare e Barnave një “bombë” e rrezikshme.
Mënyrat e “errëta” të ardhjes së kësaj sasie propagandistike “vaksinash” treguan që në vendin tonë nuk ekziston asnjë rregull i Sigurisë Medikamentoze, i Vigjilencës Farmaceutike, asgjë:
- Këtë çështje e kemi ngritur prej disa vitesh, që kur në Shqipëri, për interesa përfitimi e konjuktura ordinere, filluan të futen barna të pa certifikuara nga EMA, FDA, që nuk mund të qarkullojnë në vendet e BE-së, etj., dhe prodhimi vendas u “fry”, akoma pa asnjë certifikim GMP a GDP të njohur ndërkombëtarisht.
- Autorizimi i importit për artikujt e pa regjistruara, siç është kjo vaksinë bëhet vetëm me firmën e titullarit të Ministrisë në bazë të një dosjeje të paraqitur, e jo nga një përgjegjës i komanduar të asaj Agjencie, që veçse po keqpërdoret.
Dhe ajo dosje, në bazë të Ligjit e VKM përkatëse, duhet të përmbajë detyrimisht certifikatën e origjinës së mallit, mjetet e kushtet e ardhjes të përpiluara nga kompania që e dërgon, si dhe ato të transportit e konservimit të brendshëm të barit, në këtë rast shumë special të kësaj vaksine.
- Termi “Dorëzim dorazi”, i përdorur këtu është i rrezikshëm e i pa ligjshëm, jo vetëm për këtë Vaksinë Covid, që ka egzigjenca shumë më strikte.
- Duhet të kuptohet se është tjetër gjë kush e financon artikullin, e tjetër Kompania farmaceutike që e dërgon atë, e cila është e detyruar të paraqesë dokumentacionin.
- Edhe në rast dhurimi duhet paraqitur një dokument zyrtar për këtë.
- Siguria e Besueshmëria e Barit (Vaksinës në këtë rast) vihet në dyshim nëqoftëse nuk realizohen me transparencë të gjitha këto veprime; ndryshe ajo që ndodh quhet së paku kontrabandë dhe si e tillë….?!
Pastaj dikush ankohet pse duhet të involvohet Prokuroria këtu!”, shprehet Tritan Shehu.