Shembet shkolla e Bubqit, u dëmtua nga tërmeti
Shkolla e Përgjithshme ”Selman Daci” në Bubq u shemb, pasi në të u raportuan dëmtime shumë të rënda. Është njoftuar se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në Fushë-Krujë. Shkolla e Bubqit ka 261 nxënës, duke nisur nga cikli parashkollor deri në vitin e fundit të gjimnazit. Ajo është ndërtuar në vitin 1988.
”Vijon puna intensive për të rifilluar mësimin në shkollat e padëmtuara në zonat më të prekura nga tërmeti”, lajmëron ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Po kështu thuhet se njëkohësisht, është gati plani i zhvendosjes si dhe është siguruar transporti i të gjithë nxënësve nga shkollat e dëmtuara drejt shkollave pritëse.
Ministra e Arsimit nëpërmjet një urdhri ka njoftuar edhe ditët kur do të fillojë zyrtarisht mësimi. Ashtu siç ishte thënë më parë në Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Lezhë dhe Mirditë mësimi nisi më datë 5 dhjetor, ndërsa në Tiranë, Durrës, Vorë, Shijak, Krujë dhe Kurbin do të fillojë më datë 9 dhjetor. E njëjta gjë vlen edhe për shkollat private.
Shkollat janë inspektuar dhe po inspektohen sërish për shkak të pas-goditjeve të tërmetit, për të garantuar siguri të plotë dhe ambiente të ngrohta për nxënësit në mënyrë që të kemi sa më parë një rikthim të mirë të normalitetit.
KOHA JONË SONDAZH

