Shembja e godinës, reagon materniteti: Do ruhet autenticiteti, u shpall e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit
Drejtoria e Spitalit “Mbretëresha Geraldinë” reagon pas shembjes së godinës, e cila solli mjaft reagime në opinionin publik dhe jo vetëm.
Sipas spitalit, fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, është një moment shumë i rëndësishëm, jo vetëm për stafin mjekësorë të këtij institucioni, por edhe për ofrimin e një kujdesi dinjitoz për nënat e reja dhe fëmijët.
Më tej, në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, shton se, pjesa e shembur ishte jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të marra nga tërmeti i nëntorit 2019.
Reagimi i Drejtorisë së Spitalit “Mbretëresha Geraldinë”
“Fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si staf mjekësor, por së pari për kujdesin dhe shërbimin dinjitoz për nënat e reja dhe të porsalindurit.
Projekti i rikonstruksionit dhe zgjerimit të spitalit tonë, ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet e zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti.
Sqarojmë se, pjesa e shembur që do të ndërtohet nga themelet ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, e shpallur e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit.
Ndërsa godina kryesore do rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike.
Ky është një projekt i shumëpritur për ne si staf mjekësor, pasi do të sigurojë kushte dinjitoze për nënat e reja dhe fëmijët që vijnë në jetë në maternitetin tonë.”