Shëngjini dhe Lezha një destinacion kryesor turistik, kryetari Ndreu: 1200 apartamente të blera nga të huajt në vitin e fundit

Shëngjini dhe Lezha po kthehen në një destinacion turistik gjithëpërfshirës për të huajt. Kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se interesi për Lezhën dhe Shëngjinin është konkretizuar dhe me investime në pasuri të paluajtshme. Sipas tij, janë blerë 138 apartamente nga polakë, ndërsa 38 nga gjermanë. Ndreu nënvizoi se janë 1200 apartamente të blera nga të huajt në vitin e fundit.

“Sezoni ka filluar, por nuk është në pikun e vet, kuptohet. Le ta themi që 15-ditëshi i parë i Korrikut nuk ka qenë asnjëherë piku i sezonit në Lezhë apo Shëngjin. Situata është në përmirësim të përditshëm. Disa njësi akomoduese që kanë më shumë organizim dhe më shumë shërbim, janë pothuajse plot, ndërsa ka të tjera që nuk janë në nivelin e tyre. Gjithsesi e përgjithshmja në Lezhë është pozitive, duke pasur parasysh që jo vetëm turizmi bregdetar është ai që e mat këtë, por është edhe turizmi në objektet historike, religjioze, është edhe ajo që në Lezhë e quajmë “qershia mbi tortë”, që është turizmi kulinar. Lezha është e frekuentuar dhe vijon të frekuentohet”, tha Ndreu.

Ndreu tha se ka shumë familje të huaja, si gjermane, franceze apo polake që kanë blerë apartamente në zonën e Shëngjinit. “Duhet thënë se vetëm në kuptimin e blerjes së apartamenteve janë 400 huaj që kanë blerë apartamente në Shëngjin dhe 800 shqiptarë të Kosovës. Janë në rritje të ndjeshme. Ka shtetas holandezë, ka që kanë ardhur anglezë, ka gjermanë. Janë 38 familje gjermane që kanë blerë në Shëngjin. 188 familje polake kanë blerë apartamente.

Janë francezë që kanë blerë në Shëngjin. Edhe në frekuentimin e këtyre objekteve ka një rritje. Kemi restorante që kalon 100 mijë turistë në vit që darkojnë apo drekojnë aty. Laguna e Kune Vainit, por Vaini sidomos është një histori shumë e dashur për shumë e shumë të huaj, që shkojnë pasi rruga është e kuruar, gastronomia në nivele shumë të larta. Laguna është gjë e bukur për ta parë dhe të gjitha bashkë e bëjnë Lezhën shumë të frekuentueshme dhe frekuentimi po rritet”, tha Ndreu.

Ai u shpreh i bindur se fundjava do ketë edhe më shumë vizitorë, kjo edhe falë edhe infrastrukturës së përmirësuar, duke pasur parasysh segmentin rrugor Thumanë-Kashar.

SHKARKO APP