Shërbimi i Provës, ja ndihma konkrete që u jep të dënuarve

Rregullohet organizimi dhe funksionimi i Shërbimit të Provës, si dhe veprimtaria e tij gjatë zbatimit të masave alternative të dënimit me burgim

Rehabilitimi shoqëror i shkelësve të ligjit, ulja e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritja e sigurisë shoqërore. Sikundër edhe aplikimi i masave alternative të dënimit me burgim që synon uljen e kostove sociale të dënimeve penale apo ruajtjen e sigurisë shoqërore. Që të gjitha këto, parashikohen në ligjin e ri “Për Shërbimin e Provës”, i cili tashmë është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare. Sipas tij, punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës e ndihmon dhe e mbështet të dënuarin për riintegrimin social të tij, bazuar në informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit dhe vlerësimin e personalitetit e të mjedisit social të të dënuarit. “Ai mban kontakte të vazhdueshme me të dënuarin dhe/ose të mbikëqyrurin gjatë gjithë periudhës së vënies në provë e kur kërkohet nga i dënuari, ofron mbështetje për përkujdesjen e mëtejshme pas përfundimit të periudhës së provës”, citon gjithashtu ligji në fjalë. Duke vijuar më tej me faktin se punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës ka për detyrë që të mbikqyrë edhe zbatimin e detyrimeve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga i dënuari gjatë kryerjes së veprës penale. Madje, ai mund të ndërmjetësojë midis të dënuarit dhe të dëmtuarit gjatë të gjitha fazave të procesit penal. “Kur punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës konstaton mospërmbushje të programit të realizimit të mbikëqyrjes, ka detyrimin të verifikojë faktet dhe rrethanat penguese. Kur faktet dhe rrethanat penguese qëndrojnë, ka detyrimin të ndryshojë, në bashkëpunim me të dënuarin, programin e realizimit të mbikëqyrjes. Kur faktet dhe rrethanat e parashtruara nga i dënuari nuk qëndrojnë, paralajmëron me shkrim të dënuarin për pasojat e mospërmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në vendimin gjyqësor. Kur i dënuari i paralajmëruar, brenda 15 ditëve nga data e paralajmërimit, me veprime ose mosveprime nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në programin e realizimit të mbikëqyrjes, punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës i kërkon prokurorit, duke informuar njëkohësisht gjykatën për nevojën e ndryshimit të pjesshëm a të plotë të dënimit alternativ ose revokimin e tij”, citon gjithashtu ligji në fjalë. Më tej, ai nuk lë pa përmendur edhe faktin tjetër se “përmbajtja e të dhënave të administruara nga veprimtaria e Shërbimit të Provës, niveli i aksesit e dhënësit e informacionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Të dhënat trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Neni 21/ Detyrimet e tё dёnuarit nё rast  të ndryshimit tё vendbanimit

– I dënuari në provë njofton me shkrim punonjësin përgjegjës për mbikëqyrjen e tij për ndryshimin e vendbanimit apo vendqëndrimit. Në raste urgjente, ai njofton paraprakisht nëpërmjet telefonit dhe më pas me shkrim. Brenda 15 ditëve nga data e ndryshimit, i dënuari në provë i paraqet punonjësit të caktuar të dhënat e detajuara rreth situatës së re.

– Në rastin e udhëtimeve që i tejkalojnë 8 ditë, i dënuari në provë informon Shërbimin e Provës për adresën e vendit ku do të qëndrojë, numrin e telefonit dhe ditën e kthimit nga udhëtimi.

– Nëse vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i personit ndodhet në një zonë jashtë kompetencës tokësore të zyrës vendore të Shërbimit të Provës të ngarkuar fillimisht me çështjen, kjo e fundit brenda 3 ditëve i dërgon zyrës vendore të Shërbimit të Provës, në kompetencën tokësore të së cilës gjendet vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i të dënuarit, dosjen personale të të dënuarit në provë. Zyra kompetente për mbikëqyrjen e të dënuarit, pas ndryshimit të vendbanimit apo vendqëndrimit, njofton prokurorin për ndryshimin e kompetencës së verifikuar. – Në rastin e ndryshimit të vendit të punës, i dënuari në provë njofton me shkrim Shërbimin e Provës dhe e informon atë për arsyet e ndryshimit, vendin e ri të punës, natyrën dhe veprimtaritë e punës.

Neni 19

 Mbikëqyrja e zbatimit të masave alternative

Drejtori i zyrës vendore, pas administrimit të urdhrit të ekzekutimit dhe verifikimit të kompetencës territoriale, cakton punonjësin përgjegjës për mbikëqyrjen e të dënuarit. Punonjësi i Shërbimit të Provës, përgjegjës për mbikëqyrjen brenda pesë ditëve kalendarike nga data e administrimit të urdhrit të ekzekutimit, verifikon përmbushjen e detyrimit të të dënuarit për të vendosur kontakt me Shërbimin e Provës.

Në rastin kur i dënuari nuk ka përmbushur detyrimin për të vendosur kontaktin me Shërbimin e Provës, punonjësi i ngarkuar njofton të dënuarin për detyrimin për të vendosur kontakt. Në njoftim përcaktohen vendi dhe adresa e Shërbimit të Provës, data dhe ora e kontaktit, kontakti telefonik dhe elektronik i punonjësit të Shërbimit të Provës, përgjegjës për mbikëqyrjen, si dhe pasojat që rrjedhin nga mospërmbushja e detyrimit. I dënuari vendos kontakt me punonjësin përgjegjës të Shërbimit të Provës brenda pesë ditëve nga data e marrjes së njoftimit.

Në rast se i dënuari nuk paraqitet brenda 10 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit, i dërgohet një njoftim i dytë të nesërmen e përfundimit të afatit nëpërmjet punonjësit të policisë, kompetent për territorin dhe shërbimit të policisë gjyqësore.

Në njoftimin e dytë i dënuari njoftohet lidhur me dërgimin e raportit të mospërmbushjes pranë gjykatës kompetente pas pesë ditëve kalendarike nga data e njoftimit të dytë.

Punonjësi i Shërbimit të Provës, përgjegjës për mbikëqyrjen e të dënuarve të 11 mitur, i realizon njoftimet sipas këtij neni nëpërmjet kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të të dënuarit të përcaktuar në vendimin gjyqësor.

Punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës vlerëson arsyet e dokumentuara që kanë penguar vendosjen e kontaktit për të dënuarin. Për vlerësimin e arsyeve të dokumentuara punonjësi i Shërbimit të Provës, në rastet kur e vlerëson të nevojshme, ka të drejtën të kërkojë konfirmim zyrtar nga institucionet shtetërore ose joshtetërore që kanë lëshuar aktin.

Punonjësi i Shërbimit të Provës në kontaktin e parë me të dënuarin verifikon identitetin e tij dhe e informon në gjuhë të kuptueshme prej tij për qëllimin dhe objektivat e mbikëqyrjes, për të drejtat dhe garancitë ligjore, për detyrimet ligjore dhe gjyqësore, si dhe për pasojat që rrjedhin nga mospërmbushja e tyre. 10. Në rastin e të dënuarve të mitur, kontakti realizohet në prani të kujdestarit ose përfaqësuesit të tij ligjor. I dënuari merr pjesë në përcaktimin e mënyrës së zbatimit të alternativave të dënimit me burgim dhe ka të drejtë të kërkojë rishikimin apo ndryshimin e saj kur e lejojnë kushtet.

I dënuari ka të drejtën e ankimit administrativ kundër veprimeve të punonjësit të Shërbimit të Provës, të caktuar me mbikëqyrjen e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të drejtat dhe garancitë e parashikuara për të dënuarin zbatohen për aq sa janë të pajtueshme edhe për personin nën hetim dhe të pandehurin. Ndaj personit nën hetim dhe të pandehurit shtrihen edhe të drejtat dhe garancitë që janë parashikuar për të dënuarin.

Punonjësi i Shërbimit të Provës, në kontaktin e parë me të dënuarin, siguron informacionin e nevojshëm për vlerësimin e situatës ekonomike, sociale, gjendjen shëndetësore, varësive nga substancat si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për vlerësimin paraprak të të dënuarit.

Veprimet e realizuara gjatë takimit të parë regjistrohen në procesverbal, i cili nënshkruhet prej punonjësit të Shërbimit të Provës dhe të dënuarit. Kur i dënuari është i mitur, procesverbali nënshkruhet edhe nga kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor.

Neni 18

 Administrimi i të dhënave gjatë  zbatimit të masave alternative

Punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës hap për çdo të dënuar dosje personale, ku administrohen të gjitha aktet e prodhuara nga Shërbimi i Provës për të dënuarin gjatë procesit penal dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor përkatës Të dhënat personale të administruara gjatë periudhës së provës përpunohen dhe trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vetëm në rast se këto informacione kanë lidhje me ushtrimin e detyrave të autoritetit që e kërkon atë.

Dosja personale dhe përmbajtja e saj, pas përfundimit të periudhës së provës, trajtohet në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat. 4.

Çdo zyrë vendore e Shërbimit të Provës, në përmbushje të detyrave funksionale, mban në formë shkresore regjistrat e mëposhtëm:

  1. a) Regjistrin themeltar të personave të dënuar;
  1. b) Regjistrin e kërkesë-ankesave;
  1. c) Regjistrin e shkeljeve të planit individual të trajtimit;

ç) Regjistrin e ngjarjeve të rënda;

  1. d) Regjistrin e OJF-ve e të institucioneve shtetërore ose joshtetërore që ofrojnë këshillim dhe asistencë të çdo forme për të dënuarit me alternativa të dënimit me burgim

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës është përgjegjëse për administrimin e regjistrit elektronik, ku pasqyrohen të përditësuara të gjitha të dhënat e administruara nga zyrat vendore.

Përmbajtja e të dhënave të administruara nga veprimtaria e Shërbimit të Provës, niveli i aksesit e dhënësit e informacionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Të dhënat trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

SHKARKO APP