Sherr te Kryesia e Kuvendit, PS përjashton 7 deputetë të PD-së. Berisha: S’ka më paqe

Sherri që u pa dje në seancën plenare në Kuvend, ku edhe një deputet i PS-së u godit me grusht, duket se vijon edhe sot. Sali Berisha dhe një pjesë e deputetëve që e mbështesin shkuan në Sekretariatin për Etikën, duke bllokuar zhvillimin e mbledhjes. Në një dalje live në Facebook, Sali Berisha thotë se Klotilda Bushka e ka marrë vendimin.

“Shifni si merren vendimet këtu. Ajo dëgjon vetëm njërin largohet dhe thotë se kam harruar të marr vendimin, se unë jam ajo që marr vendim pa pyetur ligje dhe rregullore. Po mbrohen nga 5 badigardë. Në vend që të dëgjojë vendimet thotë se e ka marrë vendimin. Paqe nuk ka në këtë parlament deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve”,-tha Berisha.

Situata gjatë mbledhjes ka eskaluar deri në përplasje fizike, ku deputeti Flamur Noka është ngritur nga vendi i tij dhe i ka hequr mikrofonin Klotilda Bushkës, ndërsa nuk ka ngurruar ta bëjë këtë gjë edhe me deputetët e tjera socialistë të pranishëm në sallë. Ndërsa, është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës për të vendosur rendin në sallën e mbledhjeve.

Më pas, pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, Sali Berisha tha se nuk do ta njohin vendimin e Komisionit të Etikës nëse vendos për përjashtimin e 7 deputetëve të opozitës për shkak të kaosit të krijuar një ditë më parë në sallën e Kuvendit. Sipas Berishës vendimin e ka marrë.

”Ky ishte një moment i betejës sonë, por nuk ka të ndalur kjo beteje. Ajo mori shkresat dhe iku. E kishte marrë vendimin pa qenë e regjistruar. Ky është parlamenti shpellë. Ne nuk do ta njohim vendimin. Ne nuk njohim vendime të paligjshme”,- tha Berisha.

Më fund, Komisioni i Etikës ka përjashtuar 7 deputetë të PD-së. Vendimi është marrë nga Komisioni, por pa praninë e opozitës në sallë. Më herët gjatë ditës së sotme, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha deklaroi për gazetarët se vendimi nuk do të njihet nga ana e grupimit që ai drejton.

SHKARKO APP