Sherri me armë në Laç, Meta: Të vendosen para ligjit përgjegjësit. PS: Prenga nuk është më në parti

Pak minuta pasi Policia e Shtetit konfirmoi zyrtarisht arrestimin në flagrancë të deputetit socialist Armando Prenga dhe akuzat që rëndojnë mbi të ka reaguar kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.

Kreu i Kuvendit shprehet se institucionet përgjegjëse duhet të zbatojnë ligjin. “Zyra e shtypit pranë Kryetarit te Kuvendit informon se pasi është njohur me ngjarjen e mbrëmjes së djeshme në Laç, gjatë së cilës mbeten të lënduar disa shtetas, si dhe deklaratën e Policisë se Shtetit mbi rrethanat dhe personat e përfshirë në të dhe ndalimin nga organet e zbatimit të ligjit të deputetit Armando Prenga, Kryetari i Kuvendit kërkon nga institucionet përgjegjëse zbardhjen e menjëhershme të saj, si dhe vendosjen përpara ligjit të personave përgjegjës”,- thuhet në njoftimin e Zyrës së Shtypit të Kreut të Kuvendit.

Ndërkohë nga selia e PS, deputetja Olta Xhaçka deklaroi se deputeti Prenga nuk është më pjesë e Partisë Socialiste. "Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të",- tha Xhaçka.

Deputeti Prenga akuzohet se është përfshirë në një konflikt të ndodhur mbrëmjen e 4 shtatorit për Luginën e Patokut. Sipas policisë në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga, palë në konflikt janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas të përfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga, i cili nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje dhe  u arrestua në flagrancë me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.

SHKARKO APP