Shfaqja e gripit të shpendëve në Shqipëri, ndalohet importi
Në doganën e Morinës nuk do të lejohet importi i shpendëve, produkteve e nënprodukteve të tyre. Ky vendim është marrë nga Ministria e Bujqësisë menjëherë pas shfaqjes së rasteve të para të gripit të shpendëve në vendin tonë prej të cilëve një rast edhe në Bujan të Tropojës. Inspektorët e AKU në Morinë ndjekin zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar të gjitha mallrat që hyjnë në Morinë
Inspektori i AKU-së Hysen Daci thotë se nuk ka raste të tilla në doganën e Morinës edhe për shkak se përmes kësaj pike nuk importohen produkte të tilla.
Daci tha se po bashkëpunohet ngushtë me të gjitha autoritetet për monitorimin e situatës. Ndërkohë inspektoret e AKU dhe shërbimi veterinar në Kukës po kryejnë inspektime e kontrolle në tregje e njësi shërbimi për produktet me prejardhje të shpendëve.