Shifra të frikshme, 12200 fëmijë të larguar nga Shqipëria drejt vendeve të Europës
Përgjatë 2020 sipas Eurostat janë larguar 12 mijë e 200 fëmijë nën moshën 15 vjeç nga Shqipëria drejt vendeve të BE. Dokumenti që shfaq shifra të frikshme, i referohet të miturve që kanë marrë leje qëndrimi, ndërsa destinacionet kryesore janë Gjermania, Greqia dhe Italia.
Për sociologen Entela Binjaku, ky dokument nxjerr në pah një fenomen shqetësues. Sipas saj, janë kryesisht prindërit ata që bëhen shkak i largimit të fëmijëve për shkak se nuk shohin perspektivë për të rinjtë në Shqipëri. “Arsyet lidhen në radhë të parë me perspektivën që prindërit ose familjet shqiptare shohin për fëmijët e tyre kryesisht jashtë Shqipërisë dhe larg Shqipërisë. Në radhë të dytë mendoj që është pasiguria që prindërit e këtyre të miturve ndjejnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në vendin tonë”, tha Binjaku.
Po ashtu për të Shqipëria po humbet shumë nga largimet masive. “Kur ikën një bazë e këtillë burimesh energjie natyrisht që shoqëria fillon edhe shqetësohet dhe është ndoshta një ndër dramat më të mëdha që është duke i ndodhur vendit”.
Shqipëria renditet e dyta pas Ukrainës në Evropë për dhënien e lejes së qëndrimit për fëmijët nën 15 vjeç, në një nga shtetet e Bashkimit Evropian. Nga 64 mijë leje qëndrimi që janë dhënë në BE, 19% e tyre, ose rreth 12.2 mijë ishin për shtetas shqiptarë.