Shifrat deri në 50 mijë euro, 270 pacientë ikën jashtë për kurimin ndaj Covid-19

Përballimi i situatës së Covid-19 nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë të prekurit. Disa prej pacientëve kanë zgjedhur të kurohen jashtë vendit si një mënyrë për të marrë shërbim shëndetësor më të specializuar.

”Euronews Albania”, mëson se që prej fillimit të pandemisë, 270 persona të infektuar me koronavirus, kryesisht në gjendje të rënduar janë nisur me avionë “Charter” privat nga aeroporti Nënë Tereza për kurim jashtë vendit.

Turqia rezulton të jetë shteti më i preferuar nga shqiptarët për kurim pasi 200 prej të infektuarve e zgjodhën për të marrë shërbim më te specializuar. Ndërkohë pjesa tjetër zgjodhën vende të tjera të Evropës për t’u kuruar.

Dërgimi i një të infektuari me Covid-19 jashtë vendit nuk është i përballueshëm nga çdokush. Shpenzimet për të kryer këtë fluturim me charter privat kapin shifra marramendëse me çmime që variojnë nga 25 mijë deri në 50 mijë euro përfshirë këtu edhe kurimin spitalor.

SHKARKO APP