Shifrat e vdekjeve nga Covid-19, Rakacolli: Bilanci bëhet në fund të luftës

Komiteti Teknik i Ekspertëve. bëri një pasqyrim të situatës së pandemisë në vendin tonë. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tregoi se incidenca dy javore e Shqipërisë është më e ulët se vendet e rajonit apo vendet e Bashkimit Europian, 365 raste për 100 mijë banorë. Vendet më të prekura janë Tirana, e ndjekur nga Gjirokastra dhe Lezha. Grupmosha e pacientëve më të prekur nga COVID-19 është 55-64 dhe 65-75 vjeç.

Të pyetur për numrin e vdekjeve që ndryshon nga raportimi i Bashkive dhe ai i raportimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, bilanci bëhet në fund të luftës.

“Raportohen të gjitha ato raste të cilat strukturat tona shëndetësore i kualifikojnë si raste vdekje nga COVID dhe këtu nuk ka absolutisht as edhe një lloj fshehje. Nuk mund të ketë një paralelizëm të numrit të agjencive funerale dhe të numrit të strukturave të shëndetësisë sepse mund të ketë ndryshime. Jemi në mes të një lufte dhe zakonisht bilancet nuk bëhen në mes por në fund”,-sqaroi Rakacolli.

Sipas saj çdo informacion trajtohet me shumë përgjegjësi dhe apeloi mos të fokusohemi vetëm te numri i vdekjeve por dhe tek ai i jetëve të shpëtuara. Për çdo njeri që humb jetën jashtë kufijve të Shqipërisë dhe është me kombësi shqiptare, teorikisht duhet të çregjistrohet nga regjistri i gjendjes civile. Nuk ka një raportim nga Ministria e Shëndetësisë për shtetasit shqiptar që humbin jetën nga Covid-19 jashtë kufijve por çregjistrohen nga regjistri kombëtar i gjendjes civile.

SHKARKO APP