“Shijoni fundjavën e mos fluturoni të arrini aksidentin apo të dorëzoni patentën”! Pesë orë kontrolle, policia u vë prangat 3 personave
“Shijoni fundjavën e mos fluturoni të arrini aksidentin apo të dorëzoni patentën”. Me këtë thirrje për qytetarët Policia e Shtetit thotë se 25 patenta janë pezulluar dhe tre drejtues mjetesh u arrestuan për drejtim mjeti në gjendje të dehur mbrëmjen e djeshme gjatë kontrolleve në aksin Tiranë-Durrës-Tiranë.
“Prej orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme e deri në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm në rrugën interurbane Tiranë- Durrës -Tiranë si rezultat i monitorimit të rrugës me radar janë evidentuar shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 131 km/h deri në 192 km/h në rrugë në orët kur fluksi i mjeteve vijon ende i lartë.
Për 5 orë kontroll me radar u pezulluan 14 patenta, kur tre prej drejtuesve të mjeteve, konkretisht 30 vjeçari nga qarku Durrës me 163 km/h, 28 vjeçari nga qarku Dibër me 166 km/h dhe 29 vjeçari nga Tirana me 165 km/h rrezikojnë pezullimin e patentës deri në një vit pasi nuk iu bindën shenjës së policisë për të ndaluar duke vijuar me shpejtësi por janë kapur në ndjekje nga patrullat e Policisë Rrugore.
Kontrollet vijojnë me drager në rrugët e kryeqytetit ku deri tani janë evidentuar 8 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin nën ndikimin e alkoolit dhe tre drejtues mjetesh janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Mos harroni se shpejtësia e pakontrolluar dhe përtej limiteve të lejuara lëndon dhe merr jetë!”, thuhet në postimin e policisë.