Shikoni videon: Goditi me shkelm drejtorin e policisë së Beratit, arrestohet mjeku
Mjeku Edison Skëndo në Berat është arrestuar nga policia me urdhër të prokurorit për një incident të ndodhur gjatë ditës së enjte në këtë qytet.
Familjarët e mjekut kanë denoncuar, se Edison Skëndo u ndalua nga policia sapo doli nga pallati ku banon, ndërsa pretendojnë se ai u dhunua nga drejtori i Policisë së Beratit, Hasan Ahmeti.
Sipas pretendimit të tyre, gjithçka nisi për autorizimin që mjeku Edison Skëndo duhet të kishte për të dalë nga banesa. Sipas familjarëve mjeku Skëndo i shoqëruar edhe nga kushëriri i tij farmacist kishin dalë për të shkuar në punë.
Ata janë ndaluar nga drejtori i policisë i cili mësohet ti ketë kërkuar autorizimin për të lëvizur.
Pas debateve verbale me drejtorin e policisë Berat, mes mjekut Skëndo dhe drejtorit të Policisë së Beratit, Hasan Ahmeti, siç shihet edhe nga pamjet ka patur edhe përplasje fizike.
Pas këtij incidenti mjeku Edison Skëndo është arrestuar me urdhër të prokurorit.
Sipas policisë, incidenti u provokua nga mjeku Skëndo. Burimet policore thonë se ishte mjeku ai që qëlloi i pari me shkelm drejtorin e policisë pasi nuk dispononte autorizim për të dalë.
Ndërsa nga pala tjetër, familjarët e mjekut, pretendojnë se Skëndo u dhunua pa asnjë motiv nga drejtori i Policisë së Beratit.