Shima: Bazuar në provat e reja, prisnim heqjen e sekuestros për Rtv Ora dhe Ora News, gazetarët kanë reaguar mjaft mirë
Gjykata e Posaçme e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë duke lënë në sekuestro preventive pronat e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi, mes tyre dhe 2 televizioneve RTV Ora dhe Ora News.
Drejtori i Informacionit në Rtv Ora dhe Ora News, Brahim Shima, tha se bazuar në provat e reja pritshmëritë ishin të mëdha të paktën për heqjen e sekuestros ndaj dy televizioneve.
Shima: Faktet e reja na bënë që të shpresonim që të paktën pjesërisht të ishin hequr sekuestrot. Në asnjë moment nuk jemi marrë me çështjen e zotit Ndroqi në televizion, as me SPAK as me gjyqtarët. I qëndruam drejtësisë. Duke qenë se fillesat e këtyre aktiviteteve janë marrë me kredi, janë pronë e bankës atëherë nuk do të kishte arsye se pse duhet të rrinin në sekuestro, mund të kishte bllokim aksionesh deri në mbyllje të hetimeve. Sekuestroja për televizionet duhej të rrëzohej. Ndoshta i lënë kohë prokurorisë të verifikojë provat që ka dërguar zoti Ndroqi në gjykatë.
Por ky vendim i Apelit po ndikon jo pak te stafi i gazetarëve, duke shtuar presionin dhe pasigurinë për të ardhshmen.
Megjithatë Shima ka bindjen se do të arrijnë ta përballojnë me sukses dhe këtë sfidë.
Shima: Nga fillimi i gushtit gazetarët kanë reaguar mjaft mirë, u janë përgjigjur sfidave. Sigurisht që ky vendim i dytë sjell ndikim qoftë edhe psikologjik te secili prej nesh. Vuloset fakti që një media e lirë jopublike është në varësi të një institucioni shtetëror. Ky fakt të krijon mjaft dyshime. Shpresa mbetet te rekursi që avokatët do të bëjnë në Gjykatën e Lartë për një vendim më të arsyetuar dhe të plotë. Tensioni është i madh, besoj që stafi që është krijuar në Rtv Ora dhe Ora News do të dijë ta përballojë dhe do të jetë në pritje të një hetimi i cili në dijeninë time zgjat dhe shpresoj që edhe ata që kanë mbështetur deri më sot me reklama dy televizionet tu qëndrojnë pranë pasi ne do tu qëndrojmë parnë qytetarëve dhe problemeve që do të ngrihen.
Bordi i dy televizioneve në një qëndrim të tij më herët ka folur për një goditje politike dhe Shima jep argumentet se pse.
Shima: Rtv Ora ka mbështetur që në fillesë reformën në drejtësi dhe shpresojmë që dikur të bëhet efektive dhe ndikimet politike të largohen. Do të shpresoja shumë si qytetar që hetimet e SPAK të nisnin nga zyrtarë të lartë të shtetit, do të sillte një shpresë te gjithëkush nga ne. Momentin që një media, e cilësuar kritike jo prej nesh por nga të tjerët, sulmohet disa herë në një kohë shumë të shkurtër nuk të lë mendim tjetër përveçse një sulm politik. Ligji funksionon me indicie por varet se kush i jep.
Kush e ngriti në fillim indicione nga ISHSH për mbylljen e televizionit për shkak të një debati. Jeni njohur me padinë e zotit Ndroqi ndaj Veliaj dhe mesazhet që janë publikuar në televizion për ndryshim të linjës editoriale. Dhe pas kësaj nis një proces dhe kalvar i gjatë vuajtjesh. Përpos kësaj Ora News njihet për sondazhet që sjell në çdo fillim zgjedhjesh. Debatet për sondazhin në këtë televizion kanë qenë para se të vinë këtu, asnjë nga palët nuk janë të kënaqur. Askush nga mazhoranca nuk do të donte një sondazh që jep një panoramë ndryshe nga ajo çfarë flitet. Nisma është e stisur politikisht dhe ka vazhduar politikisht. Shpresoj shumë që drejtësia të shikojë provat dhe të vendosë sa më shpejt sesi do të veprohet për fatet e dy televizioneve.
I pyetur rreth solidaritetit të mediave dhe gazetarëve, Shima flet për dy kategori. Ndërkohë shqetësim ka edhe mbi lirinë e medias në përgjithëse, ku të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për një rënie të saj.
Shima: Janë ndarë në dy pjesë, një pjesë që vazhdojnë dhe servirin me akuza duke prekur dhe ne gazetarët. Megjithatë mbështetja ka qenë e madhe dhe pse në dijeninë time ka pasur telefonata për të ndaluar apo reaguar kundrejt atyre që duan të shprehin mendimin e tyre në këtë televizion pa dashur të përmend emra. Mbështetja ka qenë për lirinë e medias, duhet të ndajmë hetimin nga media.
Mediat dhe televizionet nuk po transmetojnë të vërtetën e plotë. Kjo tregon autocensurën, frikën dhe presionet për të ndaluar daljen në publik të një problemi. Janë shumë raporte ndërkombëtare që tërheqin vëmendjen për një ulje në renditjen për lirinë e medias në Shqipëri.
Nëse do të duhej një vetting në media të mos niste vetëm me Ora News por të niste me të gjithë. Është ajo shprehja “mos u merr me qeverinë se nuk të ndodh gjë e mirë”. Kjo është ajo që po ndodh me Ora News por shpresoj shumë që me dosjet e avokatëve do të jenë bindës përpara trupës. Nuk dua të paragjykoj trupën e gjyqtarëve, procesi do të bëjë të veten.