Shiten biletat për Shqipëri-Serbi, 140 deputetët e Kuvendit në stadium

Interesimi i jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri-Serbi bëri që të gjitha biletat të shiten prej mesit të muajit shtator. Në “Elbasan Arena”, impiantin me 12 mijë e 800 ulëse, nuk ka më vende në dispozicion. Konfirmimi vjen nga Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku. –  “Mendoj se e keni parë që ka pasur tej mase kërkesa për bileta. Por, në momentin që po flasim stadiumi është thuajse i shitur. Mendoj se të gjithë ata që janë përzgjedhur për të qenë të pranishëm në stadium do të vijnë të përkrahin ekipin Kombëtar dhe të mos shkaktojnë asnjë incident apo veprime të papëlqyeshme. Shpresojmë që kjo të mbetet vetëm një ndeshje futbolli.” Biletat janë blerë kryesisht nga zyrtarët e lartë, çka ka bërë që të mbeten jashtë dyerve grupe të fuqishme tifozësh, si ata “Kuqezi”, “Plisat”, Shvercat, “Ballistët” etj. Duke nisur nga Parlamenti, që fillimisht depozitoi kërkesë për të pajisur me bileta 140 deputetët e Republikës së Shqipërisë edhe institucione të tjera të rëndësishme kanë pronotuar me kohë biletat.  Të gjitha dikasteret shtetërore kanë kërkuar bileta për ndeshjen. Duke nisur nga Presidenca, Ministritë e deri te institucionet e tjera të pushtetit qendror. Kërkesat kanë qenë të larta edhe nga Parlamenti i Kosovës dhe institucionet në këtë vend, por edhe nga aktorët shqiptarë të politikës në Maqedoni. Interesant fakti që interes për sfidën e 8 tetorit kanë shfaqur edhe institucionet e klerit në vend. Të gjitha pa përjashtim kishin depozituar në federatë kërkesa për bileta për ndeshjen në “Elbasan Arena”. Befasuese, por e vërtetë. Për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi, duket se do të ketë vetëm tifozë me kostum. 

SHKARKO APP