Shiu si opozitë
Nga Eljo Hyska-Kryetar i FRESSH
Pas 25 vitesh demokraci, shiu është opozita e vërtet në vendin tone. Ai s’po përmbyt shtëpitë e shqiptarëve, ai po proteston mbi mënyrën sesi e kanë udhëhequr dhe administruar këtë vend për 25 vite. Ai është një dush i ftohtë që na zgjon. Shiu protestoi kundër rojes së pyllit, i cili për një grusht me lek mbylli sytë për 25 vite, ndaj tregtarëve të drurit.
Protestoi ndaj drejtorive rajonale dhe qëndrore të pyjeve të cilat për disa grushta me lek e lejuan të dhunohej barbarisht, bukuria dhe mushkëria e Shqipërisë. Protestoi rrëmbyeshëm kundër atyre, që për një grusht me vota i lejuan të ndërtonin buzë lumit dhe mbi lum, edhe çdo herë që shiu ngre zërin gjenden nën lum dhe cinikisht bertasin: “Na mori lumi!”
Protestoi me turfullim dhe i përmbyti sepse i lejuam të zhvisheshin nga zhavorri shtretërit e lumenjve tanë, për të mbjell pallate e për të bërë shëmtinë më të madhe urbanistike që shohim sot buzë çdo rruge. Vërshoi mbi ata kryetar barkderra komune, që nuk morën njëherë një lopatë për tē pastruar ato kanale , por si miop politik dhe lakmitar të pangopur gatuan e hengrën corbën që s’mban më ujë me dhjamin e pleshtit, që kishin kapur. Shiu u derdh mbi lum, e lumi u derdh mbi ata ministra e kryeministra, që kurrë se thanë një fjalë për atë çfarë po i bëhej natyrës, me atë keqadministrim barbar.
Por shiu mbi të gjitha përmbyti ata gjyqtarë e prokurorë, që kurrë nuk hetuan njëherë këta më sipër e kurrë nuk gjetën një fajtor , pasi dhe ata morën grushtat e tyre me lek. Kjo qeveri e dha një mesazh të qartë. Moratorium të plotë për 10 vite. Është koha të bëhet represive për të ndaluar në 2 vitet e ardhshme këtë fenomen, përndryshe shiu do filloj demonstratat. Ndërkohë qytetarët kanë filluar aleancën me shiun. Rrjetet sociale gëlojnë nga foto dhe video që denoncojnë prerjet, por edhe sensibilizojnë njëri-tjetrin për mos të bërë më atë që bëm për 25 vite me rradhë.
KOHA JONË SONDAZH

