Shkarkimi i Açkës si kryetare e Komisionit të Arsimit? Bardhi kundër: Na duhet bashkim dhe jo përjashtim

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së disa deputetë kanë kërkuar shkarkimin e deputetes së Bashës, Flutura Açka si kryetare e Komisionit të Arsimit dhe Medias, për shkak se sipas tyre nuk përfaqëson grupin parlamentar të kësaj partie dhe po pengon punën e deputetëve të opozitës. E njëjta kërkesë është bërë edhe për stafin administrativ ndihmës të grupit, ku është kërkuar shkarkimin i disa këshilltarëve të grupit.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka dalë kundër propozimit për shkarkim. ”E mirëkupton shqetësimin që ngrihet, por me veprimin që ju propozoni ne do të jepnim mesazhin e gabuar, sepse ne na duhet bashkimi dhe jo përjashtimi”,-mësohet të ketë thënë Bardhi.

”Nuk dua të them që i vë në dyshim vërtetësinë e tyre, por më duhet të vlerësoj më në detaje shkaqet që u ngritën këtu. Prandaj nuk mendoj se duhet të bëjmë ndonjë propozim për shkarkim në këtë moment. Kryetari i Partisë të hënën, por edhe kryesia e partisë, folën për dorën e shtrirë të bashkimit me këdo që deri me sot ka menduar ndryshe nga ne. Nuk mendoj që grupi ynë parlamentar duhet të ketë një qëndrim të kundërt me këtë. Pra dorë e shtrirë, jo përjashtim, jo hatërmbetje, jo shkarkime. Më mirëkuptoni, por nuk mund ta pranoj propozimin tuaj. Mund ti kthehemi kësaj teme ndoshta në ndonjë mbledhje tjetër”, tha Bardhi.

SHKARKO APP