Shkarkimi i Agim Kajmakut/ Zëri i Amerikës: Shkresa e INTERPOLIT konfirmoi emrin Jorgo Toto. U tradhtua nga…
Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot shkarkimin nga detyra të kryebashiakut të Vorës Agim Kajmaku, pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në shtetin fqinj.
Vendimi, i cili u mor në unanimitet nga të 5 anëtarët e KQZ-së, hyn fuqi menjëherë me botimin e tij në Fletoren Zyrtare, ndërsa vetë zoti Kajmaku ka mundësinë dhe të një ankimimi.
Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike, dhe kur kjo e fundit tregoi pasaportën që ai kishte mbajtur me emrin Jorgo Toto, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” të Partisë Demokratike ndaj tij. “Siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime”, shkruajti zoti Kajmaku në një nga postimet e tij në Facebook, në përgjigje të disa daljeve publike radhazi që Partia Demokratike bëri gjatë muajit gusht lidhur me rastin e tij.
Por ai u tradhtua nga shenjat e gishtave. Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “Zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto”. Po sipas Prokurorisë, ishte provuar gjithashtu dhe nga verifikimet e vetë autoriteteve shqiptare se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person.
Ndonëse kishte mohuar përfshirjen e tij në rastin e arrestimit në Janinë, zoti Kajmaku, dorëzoi më pas në Prokurori, një vendim të Shtatorit të kaluar, të Gjykatës së Janinës në Greqi, e cila kishte shpallur të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave. Por dhe kjo lëvizje e fundit, nuk mundi ta shpëtonte atë. Kryebashiaku i Vorës, u penalizua nga fakti se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që kishte qenë i arrestuar dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në Greqi.
I pyetur nga gazetarët për vendimin e marrë sot ndaj kryebashkiakut të zgjedhur prej tij, Kryetari socialist dhe kryeministri Edi Rama, u mjaftua të thotë se “institucionet janë institucione”. Ky është rasti i dytë i një kryebashkiaku socialist që vërtetohet se ka fshehur të kaluarën, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri, i cili dha dorëheqjen pa mundur as të hyjë në Bashkinë e Shkodrës, ndërkohë që nën akuzë është dhe kryebashkiaku tjetër socialist i Vaut të Dejës, Mark Babani.
/ Zeri i Amerikes