Shkarkimi i Prefektit të Shkodrës, Spahia: Kurban nga Rama
Ish-deputeti i Shkodrës për Partinë Demokratike, Bardh Spahia përmes një reagimi për mediet në lidhje me shkarkimin e Prefektit të Shkodrës, Çesk Millja, e cilëson veprimin si heqje e përgjegjësisë nga vetja e Kryeministrit, Edi Rama. Nga ana tjetër ai nënvizon se Shkodra është lënë jashtë vëmendjes së institucioneve dhe për të justifikuar këtë, qeveria vendos të largojë nga detyra prefektin me argumentin se ka treguar mungesë lidershipi.
Postimi i plotë
3 të infektuar të rinj me COVID-19 në Shkodër, e një në Pukë e çuan në 53 numrin e të prekurve, sipas shifrave zyrtare. Njëlloj si në shifrat totale, ato u rritën pasi u rrit numri i testimeve, c’ka tregon se situata në terren është tjetër nga shifrat e ofruara. Por Shkodra po tregon se sa pak vëmendje ka patur nga qeveria. Pasi i sulmoi pacipësisht kryetaren e Bashkisë dhe qytetarët e Shkodrës për situatën me COVID-19, Rama e bëri një kurban nga rradhët e veta, për t’ia hedhur përgjegjësinë, prefektin e Shkodrës.
Tejet qesharak justifikimi, se prefekti nuk paska treguar lidership e vendimmarrje, kur dihet mirë se as ministrat nuk guxojnë të vendosin vetë, nën pushtetin e Edi Ramës. Eshtë thjesht mënyra se si një individ, i përdor njerëzit si lecka njëpërdorimëshe, por edhe frika që ka nga Shkodra, edhe nga vetë socialistët shkodranë, të cilëve po u centralizon edhe drejtimin e një institucioni vendor si Prefekti, me një të përzgjedhur nga Tirana. Njëlloj sic u ka bërë edhe me partinë, nuk merr në konsideratë asnjë socialist vendas që t’i japë besim, por kjo është një cështje e tyre e brendshme. Sidoqoftë, fakt është se kjo qasje ndaj Shkodrës ka sjellë mungesën e vëmendjes institucionale në këtë kohë sfiduese me virusin Korona, dhe Rama përgjegjësinë po e hedh edhe tek të vetët.
Në fakt cdo funksionar vendor, i djathtë apo i majtë, cdo anëtar i personelit shëndetësor, e di mirë se c’ka qeveria u ka ofruar deri tani, ka qenë vetëm presioni për të mos folur, për të mos u ankuar për pajisjet e munguara mbrojtëse, për mungesën e testeve e madje edhe moszbatimin nga policia të detyrimit për karantinim të shtetasve të ardhur nga Italia. Kurbanët brenda vetes janë problemi i Ramës dhe i ndjekësve të tij natyrisht, por Shkodra duhet të marrë mbështetjen që i takon, me të gjitha mjetet që i duhen për t’u përballur me COVID-19. Nuk është cështje dëshire, por detyrimi institucional e shtetëror në cdo vend demokratik!