Shkatërrohet banda e trafikut të drogës, 2 të arrestuar në Tiranë e Laç

Është shkatërruar një organizatë kriminale që merrej me trafikun e kokainës në Itali dhe në Shqipëri.

Autoritetet bëjnë me dije se është zhvilluar operacion policor i koduar “NEIKEA” në të njëjtën kohë në Itali dhe Shqipëri, nga Policia italiane dhe Policia shqiptare.

Gjatë operacionit janë arrestuar në Tiranë dhe në Laç, me qëllim ekstradimi në Itali, shtetasit: Bledar Coman alias Bledar Kurti, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Enis Preci alias Enis Uruci, 27 vjeç, banues në Laç.

Operacioni “NEIKEA” ka nisur që nga viti 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra që merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano.

Shtetasi Luca Guerra është arrestuar më datë 01.04.2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori shtetasi Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë 25.06.2016, pasi ka tentuar të vrasë shtetasin shqiptar M. P.

Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos/Itali këtë mëngjes ekzekutoi 12 urdhër-arreste në total të lëshuara për shtetas italianë dhe shqiptarë të akuzuar për veprën penale “Organizatë kriminalë, më qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Ndërkohë në kuadër të këtij operazioni më datë 13.11.2016 është arrestuar në kufirin midis Francës dhe Italisë,  korrieri shqiptar i drogës, si dhe janë sekuestruar 8.6 kg kokainë.

SHKARKO APP