Shkatërrohet banda italo-shqiptaro-tuniziane e drogës në Siçili

 

Arrestohen 13 persona mes tyre edhe “koordinatori” shqiptar

Policia italiane shkatërroi mëngjesin e sotëm një bandë trafikantësh droge në Raguza të Siçilisë. Në pranga ranë 13 persona, mes të cilëve italianë, tunizianë dhe një shqiptar që konsiderohej si koordinatori i tregtisë së drogës. Gjatë operacionit u sekuestruan sasi të konsiderueshme drogash të ndryshme.

Policia italiane ka shkatërruar mëngjesin e të martës, një rrjet trafikantësh të lëndëve narkotike me qendër në Raguza. Në pranga ranë 13 persona, mes të cilëve 7 italianë, 5tunizianë dhe një 24-vjeçar shqiptar i identifikuar si Alket Bezhdili.

Operacioni i policisë i koduar nën emrin “Kamarina drug” u finalizua edhe me sekuestrimin e sasive të konsiderueshme lëndësh të ndryshme narkotike, si hashash, marjuanë, kokainë (që përmendej me emrin e koduar “këpuca”) amfetaminë e ekstazi. Lënda narkotike u sekuestrua në një bar në Raguza, që konsiderohej si supermarketi i drogës. Lënda narkotike shpërndahej kryesisht në klube nate.

Arrestimet u kryen me urdhër të prokurorisë së Raguzës, që kishte nisur hetimet rreth këtij grupi që në janar të këtij viti, kur u sekuestruan 3 kilogram hashash dhe u arrestuan 3 tunizianë në një lokalitet pranë Raguzës. 24-vjeçari shqiptar Alket Bezhdili ishte pika e kontaktit dhe koordinohej me klientët për shitjen e drogës. Nga telefonatat që bënte me klientët, autoritetet thonë se ai konsideronte veten me mburrje si “supermarket i drogës”, për aftësitë e tij për të furnizuar klientët me çfarëdolloj sasie dhe droge që dëshironin.

Mediat italiane theksojnë se ai nuk reshtte së shituri drogë, pavarësisht se ishte vënë nën arrest shtëpie, i dyshuar si trafikant. Hetuesit thanë gjithashtu se droga ekstazi, e sekuestruar në sasi të mëdha në barin ku magazinohej, ishte e një lloji të veçantë që nuk qarkullonte në treg prej vitesh. Për këtë arsye, gjatë këtij viti, policia italiane ka zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në diskotekat dhe lokalet e natës në zonën e Raguzës./ABC

SHKARKO APP