Shkatërrohet grupi i trafikantëve në Itali, 11 shqiptarë në pranga
13 persona janë arrestuar në Itali me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës në organizim kriminal.
Grupi përbëhej nga 11 shqiptarë e një çift italian i moshës 52 e 56 vjeç.
Organizimi kriminal ishte i strukturuar mirë me degëzime në territorin verior e qendror të Italisë.
Në krye të tij i qëndronin dy vëllezër shqiptarë me banim në provincën e Firences të cilët menaxhonin trafikimin e sasive të mëdha të drogës tip kokainë nga Belgjika e Holanda drejt Italisë.
Transporti i kokainës u besohej çiftit italian të cilët përdornin automjete të modifikuara për fshehjen e drogës.
Pas mbërritjes në Itali kokaina magazinohej në provincën e Bergamos e Breshias e shpërndahej më pas për të furnizuar tregjet ilegale të shitjes në Ferrara, Venezia, Monza, Brianza, Bolzano, Alessandria, Pistoia, Bologna e Varese.
Hetimet e operacionit kanë nisur në gusht të 2019 pas sekuestrimit të 15 kg kokainë.
Shqiptarët e arrestuar janë të gjithë me banim në Itali e të moshës nga 26 vjeç deri në 40 vjeç.