Shkelje e orareve të lëvizjes, Policia ndëshkon shoferë dhe këmbësorë. Gjobiten njësi tregtare

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 49 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi R. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte autorizim për lëvizje, por ishte duke drejtuar në gjendje të dehur, në masën 1.19 mg/l. Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 154 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjithashtu, është ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 1 shtetas, pasi nuk ka zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura. Në të gjithë vendin janë konstatuar 4 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të aplikojnë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, për një pjesëtar të familjes, për të bërë pazar në qendrat urbane, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Theksojmë faktin se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, pa marrë leje.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre. Lejohen të qarkullojnë ata shtetas që shkojnë në punë në aktivitetet e lejuara për të vazhduar punën dhe kthehen brenda orës 13:00, si dhe ata punonjës që puna u mbaron në orën 16:00, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

SHKARKO APP