“Shkelje e të drejtave të njeriut dhe e konventave ndërkombëtare”, PD: Qeveria po kryen një krim me shqiptarët në kufi

Një eksperiment humanitar dhe krim e cilëson PD atë që po ndodh me shqiptarët e mbetur në kufirin greko-shqiptar, pa mundur të kthehen pas, ndërkohë që autoritetet tona nuk i lejojnë të kthehen në vendin e tyre duke e justifikuar me masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD Arben Kashahu, ka publikuar një video ku shihet se si shqiptarët e mbetur në tokë neutrale qëndrojnë në të ftohtë dhe ndezin zjarre për t’u ngrohur.

Ai deklaron se është eksperiment i rëndë humanitar, bllokimi i kufijve për shtetasit tanë nga qeveria duke i ekspozuar ato ndaj përballimit të kushteve të vështira ambientale në një kohë shumë të gjatë, dhe rrezikuar jetën nga paushqyerja, të ftohtët, pa ndihmë mjekësore, si të ishin robër lufte.

Sipas tij, rasti i qytetarëve tanë të lejuar të kalojnë nga shtetet fqinje dhe të bllokuar nga qeveria e tyre është një nga precedentët që e drejta ndërkombëtare do të trajtojë e fiksojë në listën e shkeljeve brutale të kësaj të drejte nga një shtet si Shqipëria.

DEKLARATA E PLOTË

Eksperiment i paprecedent humanitar dhe ligjor! Shqiptarë që trajtohen si robër lufte nga qeveria e tyre!

Një eksperiment të rëndë humanitar dhe ligjor po kryen me Shqiptarët e bllokuar jashtë traut të kufirit, qeveria e Shqipërisë. Kushtet çnjerëzore të qytetarëve tanë në kufi, të mbushin me revoltë njerëzore, kombëtare e ligjore. Pamjet e qytetarëve tanë të bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës, të lënë në kushte primitive, janë prova e sjelljes anti-njerëzore dhe anti-ligjore e qeverisë ndaj qytetarëve të saj.

Është eksperiment i rëndë humanitar, bllokimi i kufijve për shtetasit tanë nga qeveria duke i ekspozuar ato ndaj përballimit të kushteve të vështira ambientale në një kohë shumë të gjatë, dhe rrezikuar jetën nga paushqyerja, të ftohtët, pa ndihmë mjekësore, si të ishin robër lufte. Edhe ndaj këtyre të fundit do të duhej të tregohej më shumë humanizëm sipas këndit tim.

Është një eksperiment i rëndë ligjor, sepse e drejta për t’u kthyer në vendin e tyre “The Right of Return” është e sanksionuar në një numër të madh konventash ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë. Kujtoj këtu nenin 13 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (UDHR); nenin 12, pika 4 te Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Politike dhe Civile (IÇPR); nenin 49 të Konventës së Katërt të Gjenevës; nenin 5 pika d, të Konventës për Eleminimin e të Gjithë Formave të Diskriminimit; dhe nenin 20 të Rregullores së Hagës.

Rasti i qytetarëve tanë të lejuar të kalojnë nga shtetet fqinje dhe të bllokuar nga qeveria e tyre është një nga precedentët që e drejta ndërkombëtare do të trajtojë e fiksojë në listën e shkeljeve brutale të kësaj të drejte nga një shtet si Shqipëria. Theksoj se nuk po flasim këtu për mos-organizim misionesh ri-atdhësimi nga ana e qeverisë, por për t’i lejuar të drejtën shqiptarëve të cilët kanë mbërritur në kufi me mundësitë e tyre, të hyjnë në tokën e tyre. Ky mohim, konsiderohet nga e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare si krim!?

SHKARKO APP