Shkeljet në Albcontrol nga 2015 kur drejtohej nga Balluku: 500 mijë dollarë për të mësuar anglisht 10 punonjës, prokurimet pa llogaritje kostosh
Prej vitit 2015, kohë kur ministrja Belinda Balluku ishte në krye të Albcontrol, KLSH ka publikuar disa raporte me shkelje. Në dosjet e tenderave mungojnë numrat e protokollit të ofertave nuk ka analizë kosto. Po ashtu edhe në vitet e tjera nënvizohet se në këtë ent tenderat zhvillohen pa garë. Nga ana tjetër në prokurime rezultojnë dhe raste kur për tu mësuar anglisht 10 punonjësve tenderi shkon në 500 mijë dollarë.
Ministrja Belinda Balluku shprehu shqetësimin se punonjësit e Albcontrol janë të mbi paguar.
Por në fakt prej vitit 2016, KLSH ka ngritur një sërë shqetësimesh mbi prokurimet e ndjekura prej këtij enti.
Nga auditimi me zgjedhje i dosjeve të prokurimit, për vitin 2015, theksohet se nuk ka dokumente nëse nga Autoriteti Kontraktor janë kryer analizat e kostos së mallrave që do të prokurohen.
Po ashtu audituesit konstatojnë se në të gjitha dosjet e audituara për vitin 2015, mungojnë shkresat zyrtare drejtuar operatorëve ekonomik për paraqitjen e ofertave.
Gjithashtu, ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë janë pa numër protokolli hyrës në Albcontrol SHA, veprime këto në kundërshtim me ligjin.
Në një tjetër raport, për vitin 2016 deri në 2018, KLSH sjell në vëmendje shkeljet e shumta në tendera.
Kështu Albcontrol sha (ish-ANTA) dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kanë prokuruar 75% të fondeve të prokurimeve me një pjesëmarrës në garë dhe fitues njëkohësisht, të cilat përbëjnë 19% të numrit total të procedurave të prokurimit.
Por edhe në media nuk kanë munguar denoncimet.
Vetëm për tu mësuar dhjetë punonjësve nga muaji tetor deri në dhjetor 2019 gjuhën angleze Albcontrol ka paguar plotë 500 mijë euro.
Por edhe pas këtyre denoncimeve asnjë reagim nga institucionet e drejtësisë.
Po në nëntor të këtij viti Albcontrol hapi një tender me vlerë rreth 400 mijë euro, për kontrollin mjekësor të punonjësve të saj. /Ora News